Katar 2022 | "Paqe" mes Spanjës dhe Gjermanisë
Ka përfunduar pa fitues derbi i ditës së diele ndërmjet Kombëtares së Spanjës dhe Gjermanisë, në kuadër të xhiros së dytë në fazën e grupeve të Kupës së Botës "Katar 2022".
Përballja ishte tejet interesante me rezultatin përfundimtar që rezultoi të jetë 1:1.
Spanja dominoi më shumë në pjesën e parë duke pasur disa raste të bukura shënimi. Fillimisht, rrezikuan me Dani Olmo, i cili me një gjuajtje fantastike goditi traversën.
Pastaj, sulmuesi Ferran Torres kishte një rast të mirë nga afërsia, por që nuk arriti ta konkretizojë.
Gjermania në fakt kaloi në epërsi përmes Antonio Rudiger, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Joshua Kimmich, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua pasi kishte pozitë jashtë loje në krijimin e aksionit.
Gjatë 45-minutëshit të dytë, gjermanët rrezikuan të parët me Kimmich, mirëpo Unai Simon bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.
Kur askush nuk e priste, Jordi Alba krijoi një aksion të bukur duke asistuar për Alvaro Moratan, që e mposhti Manuel Neuerin për të kaluar spanjollët në epërsi (62').
Pas golit të pësuar, Gjermania u hodh me të gjitha forcat në sulm dhe ishte ylli i Freiburgut, Niclas Fullkrug që me një gol të bukur nga afërsia pas një asistimi të Jamel Musiala vendosi baraspeshë në ndeshje (83').
Tutje, të dy kombëtaret kërkonin golin e fitores, por që assesi s'e arritën.
Kështu, Spanja mbetet lider në grupin E me katër pikë, derisa Gjermania në fund me tre sosh.
Në xhiron e radhës, njëkohësisht vendimtaren, Spanja do të përballet me Japoninë, derisa Gjermania me Kosta Rikën.