Katar 2022 | Kroacia e eliminon Belgjikën, Maroku avancon si lider i grupit
Kombëtarja e Kroacisë ka eliminuar Belgjikën pas barazimit pa gola, derisa Maroku avancoi si lider i grupit, meqenëse mposhti Kanadanë (1:2).
Derbi mes Kroacisë dhe Belgjikës ishte tejet interesant, por që asnjëra skuadër nuk i finalizojë rastet me epilogun përfundimtar që doli të jetë 0:0.
Belgjika kishte rastin më të mirë pas vetëm 11 minutave lojë me Yannick Carrasco, që nuk realizoi nga afërsia.
Pas kësaj, Kroacia kërkoi një penallti, por pas rishikimit të VAR-it u anulua pasi ishte një pozitë jashtë loje në ndërtimin e aksionit.
Belgjika kishte raste të shkëlqyeshme edhe gjatë pjesës së dytë, sidomos përmes Romelu Lukakut, i cili dështoi dy herë nga afërsia.
Kështu, Kroacia arriti të mbrohej si më së miri dhe arriti të plotësojë synimin për t'u kualifikuar tutje.
Kroacia avancon si pozitë e dytë me pesë pikë, derisa Belgjika eliminohet në fazën e grupeve duke qenë e treta me katër pikë.
Në anën tjetër, Maroku nuk ka bërë asnjë gabim duke mposhtur Kanadanë me rezultat të ngushtë 1:2.
Hakim Ziyech kaloi Marokun në epërsi pas vetëm katër minutave lojë me një gol të bukur (4') - VIDEO.
Ndërsa, Youssef En Nesyri dyfishoi epërsinë me një goditje precize pas një asistimi fantastik të Achraf Hakimit (23') - VIDEO.
E tëra që bëri Kandaja ishte goli që doli i nderit, përmes një autogoli të Nayef Aguerd, i cili në përpjekje për ta larguar e dërgoi gabimisht në rrjetë - VIDEO.
Në fakt, Maroku shënoi edhe një herë tjetër përmes En Nesyri, mirëpo goli iu anulua për pozitë jashtë loje (45+3').
Maroku tani avancon si lider me shtatë pikë, derisa Kanada i mbyll këto kualifikuese pa pikë.
Në fazën e eliminimit direkt, Maroku do të përballet me pozitën e dytë të grupit E, derisa Kroacia ndaj liderit të atij grupi.
Kujtojmë, ditën e enjte me fillim nga ora 20:00 do të mësohen dy kombëtaret që sigurojnë kualifikimin nga ajo pozitë.