KATAR 2022 | Belgjika me mund e kontestime mposht Kanadanë - NACIONALE

KATAR 2022 | Belgjika me mund e kontestime mposht Kanadanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Belgjika ka arritur ta fitojë ndeshjen e parë në Grupin F, duke mposhtur 1:0 Kanadanë. Një fitore pa asnjë fije shkëlqimi kjo nga të besuarit e përzgjedhësit Roberto Martinezit, e shoqëruar me një mal kontestimesh për ndarje jokorrekte të drejtësisë nga gjyqtarët.

Tre pikë të çmuara Belgjika arkëtoi sot, por nuk bindi askënd me lojën që shfaqi në fushë. Kombëtarja që bëri për vete shumicën e ndjekësve të futbollit ishte pikërisht Kanadaja.

Një volum i lartë i lojës i prodhuar nga kombëtarja amerikano-veriore prodhoi shumë raste për shënim, që nuk u konkretizuan. Për t’i dhënë akoma më shumë një shije të ithtë kësaj ndeshje ishin dy penallti që u mohuan kanadezëve në pjesë të parë nga gjyqtari kontrovers Sikazwe (protagonist i një skandali edhe në fillim të vitit, në ndeshjen e Kupës së Afrikës mes Tunizisë dhe Malit).

Gjithsesi, ndeshja nisi me një intensitet shumë të lartë të lojës nga Kanadaja, që menjëherë u vërsul në sulm për ta gjetur golin.

Në minutën e 9-të gjyqtari i ndeshjes pasi u këshillua me pamjet nga VAR-i, vendosi të akordojë një penallti në favor të Kanadës.

Megjithatë, një minutë më vonë nga pika e bardhë nuk u tregua i saktë mbrojtësi i Bayernit, Davies.

Ishte Courtois ai që bëri heroin për Belgjikën, me një pritje të mrekullueshme, duke ia mundësuar kështu kombëtares së tij që mbetej në lojë.

Kanada vazhdoi të sulmojë, por Belgjika me qyk të zorit arrinte që të shpëtonte nga disa raste shumë të rrezikshme.

Në minutat në vijim në dy raste kombëtarja kanadeze kërkoi që të akordoheshin penallti të tjera për ta, por në formë të çuditshme gjyqtari i ndeshjes, i pandihmuar sa duhet edhe nga asistentët e tij, mendoi ndryshe – duke lënë që të luhej loja.

Më pas, thuajse në aksionin e parë të mirëndërtuar në fazën sulmuese nga Belgjika, erdhi edhe goli nga Batshuayi.

Në minutën e 44-të një pasim i gjatë nga Alderweireld doli të ishte përcaktues, pasi sulmuesi belg bëri gjithçka mirë më pas: kontrollim i saktë i topit, goditje e fuqishme nga distanca e afërt, me ç’rast kaloi në epërsi 1:0.

Në pjesën e dytë loja kishte pasqyrën e njëjtë, me Kanadën që qarkullonte posedimin e topit dhe përpiqej ta gjente golin e barazimit.

Belgjika përmes kundërzbritjeve konceptoi lojën e saj, edhe pse për hir të vërtetës la shumë për dëshiruar, duke mos i përmbushur pritjet që ishin ndërtuar rreth saj.

Në fund, ndeshja përfundoi me fitoren e Belgjikës 1:0, por më shumë sesa vetë fitorja bujë dhe zhurmë prodhoi mënyra e ndarjes së drejtësisë nga gjyqtari Sikazwe.

Gjatë ditës në këtë grup Kroacia barazoi pa gola kundër Marokut. Kështu, për momentin Belgjika ndan vendin e parë me 3 pikë të arkëtuara, duke lënë mbrapa Kroacinë dhe Marokun me 1 pikë, kurse në fund pozicionohet Kanadaja me 0 pikë.

Sido që të jetë, marrë parasysh lojën tej mase të bukur, cilësore dhe ritmike që aplikoi në fushë Kanadaja, mund të ketë shpresa për ndonjë përmbysje të situatës në këtë grup gjatë ndeshjeve në vijim.

Belgjika ndeshjen tjetër e zhvillon më 27 nëntor kundër Marokut, kurse Kanada në të njëjtën ditë do të luajë ndaj Kroacisë.

Përmbledhja e ndeshjes Belgjikë – Kanadë:

Lajme të ngjashme