KATAR 2022 | Argjentina e Messit eliminon Australinë, mësohet çerekfinalja e parë e Botërorit - NACIONALE

KATAR 2022 | Argjentina e Messit eliminon Australinë, mësohet çerekfinalja e parë e Botërorit

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Është kompletuar çerekfinalja e parë e këtij Botërori. Argjentina ka arritur që ta mposhtë me rezultat të ngushtë 2:1 Australinë, por që ishte e mjaftueshme për një vend në tetëshen e fundit.

Jug-amerikanët ishin më të mirë pothuajse në të gjithë takimin, por fitorja e tyre u vu në diskutim në minutat e fundit, kur një gol i Goodwin motivoi lojtarët australianë.

Image

Pjesa e parë e takimit u përshkrua me një dominim total në posedim të topit nga argjentinasit, por që kishin vetëm një goditje në portë dhe nga ajo goditje ishte i saktë Messi.

Zhvillohej minuta e 35-të e takimit, kur ‘gjeniu i vogël’ tentoi një harkim nga goditja e lirë, dhe pasi pak sekondash topi u kthye sërish në pronësinë e tij, i cili shënoi pastaj për 1:0.

Ky gol për Messin erdhi në ndeshjen e 1000-të në karrierën e tij dhe ishte i nënti për të në të gjitha Botëroret e zhvilluara, ndërsa vetëm në Katar ka shënuar tre të tillë.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale.

Argjentina filloi mirë edhe pjesën e dytë, duke rrezikuar me disa gjysmë raste, deri sa erdhi te dyfishimi i epërsisë.

Image

Ishte sërish Julian Alvarez që shënoi për Argjentinën, pas atij goli të shënuar ndaj Polonisë, kësaj radhe ai shënoi për 2:0, me ndihmën e një gabimi trashanik të portierit australian, Mathew Ryan.

Australia u kthye në lojë duke ngushtuar rezultatin dhe për disa çaste futi frikën në palcë të argjentinaseve.

Ishte një godite e Craig Goodwin nga distanca, që u devijua nga Enzo Fernadez dhe përfundoi prapa krahëve të Emiliano Martinezit për rezultatin 2:1 në minutën e 77-të.

Në minutat e fundit Lautaro Martinez, i cili po kalon në një formë jo të mirë, humbi një rast të pastër shënimi, pasi paraprakisht të gjithë punën ia kreu Leo Messi.

Ndeshja përfundoi 2:1 për Argjentinën dhe tani kompletohet çerekfinalja e parë e këtij Botërori, e cila është ndërmjet Holandës dhe Argjentinës.

Përmbledhja e ndeshjes Argjentinë - Australi:

Lajme të ngjashme