“Kam ëndërruar të luaj në Premierligë”, Guiu tregon se pse e la Barcelonën për Chelsean
Talenti Marc Guiu që e la Barcelonën për Chelsean në moshën vetëm 18-vjeçare thotë se ishte mundësi e mrekullueshme kalimi në “Stamford Bridge”.
Spanjolli debutoi te katalunasit në tetorin e vitit të kaluar dhe shënoi dy herë në shtatë paraqitje në të gjitha garat.
Edhe pse u vlerësua si ndër lojtarët me më perspektivë në botë, Chelsea befasoi të gjithë duke ia paguar klauzolën e lirimit për vetëm 5 milionë funte këtë verë.
I pyetur për këtë vendim, Guiu deklaroi se gjithnjë ka ëndërruar të luajë në Premierligë, derisa Chelsea është klub me shumë histori.
“Gjithnjë kam ëndërruar të luaj në Premierligë dhe Chelsea është klub i madh me histori”.
“Ishte vendim i vështirë, por ishte mundësi e mrekullueshme prandaj duhet të shkoja”.
Chelsea ndërkohë ende nuk ka vendosur nëse duhet ta lërë lojtarin të huazohet te ndonjë skuadër, apo t’ia jep shansin të luftojë për një vend në ekipin e parë.
“Mendoj që jam gati. Kemi punuar çdo ditë brenda dhe jashtë fushës. Prandaj jam gati për të ndihmuar skuadrën kur t’iu duhem”.
“Maresca më tha se projekti ishte i mrekullueshëm me plot talent të rinj, që dëshironte të isha pjesë e kësaj dhe ka besim të madh te aftësitë e mia”.
Guiu do të shpresojë të luajë me Chelsean në fazën parapërgatitore ndaj Real Madridit të mërkurën dhe ndaj Interit të dielën.