“Ka ardhur koha” – Marcelo Bielsa emërohet trajner i Uruguait - NACIONALE

“Ka ardhur koha” – Marcelo Bielsa emërohet trajner i Uruguait

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marcelo Bielsa është emëruar trajner i ri i Uruguait, njoftoi Federata e Futbollit e këtij vendi të hënën vonë.

Ish-trajneri i Leeds Unitedit ka nënshkruar marrëveshje deri në vitin 2026 me vendin e Amerikës Jugore.

Argjentinasi do ta pasojë Diego Alonson, i cili u largua pasi Uruguai dështoi t’i kalojë grupet në Kupën e Botës 2022 në dhjetor.

“Tifozët po kërkojnë ndeshje dhe emocione. Ka ardhur koha”, shkroi Federata e Futbollit e Uruguait në Twitter, ku e konfirmoi emërimin e Bielsas.

Bielsa, i cili pritet të prezantohet të mërkurën përmes një konference për media, i kthehet punës së trajnerit pas largimit nga Leedsi në shkurt 2022.

Bielsa e ktheu Leedsin në Premierligë pas plot 16 viteve mungesë.

Trajneri 67-vjeçar, i cili ka qenë edhe në Marseille dhe Athletic Bilbao, i ka udhëhequr edhe Argjentinën dhe Kilin në Kupat e Botës 2002 dhe 2010, përkatësisht.

Ai do ta nisë karrierën në Uruguai me dy ndeshje miqësore, kundër Nikaraguas dhe Kubës muajin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme