Juventusi e shkarkon Allegrin dy ditë pasi fituan Kupën e Italisë - NACIONALE

Juventusi e shkarkon Allegrin dy ditë pasi fituan Kupën e Italisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë është mësuar edhe zyrtarisht se Juventusi e ka shkarkuar trajnerin Massimiliano Allegri. Klubi konsideroi se sjelljet e trajnerit në finalen e Kupës së Italisë nuk ishin në pajtueshmëri me vlerat e klubit.

Në komunikatën e lëshuar u konfirmua se sjelljet e Allegrit gjatë tërë finales që Juventusi e fitoi ndaj Atalantës 1:0, nuk ishin të përshtatshme me vlerat e klubit dhe atë se çfarë klubi reprezenton.

Komunikata e plotë

“Juventus njofton se ka liruar Massimiliano Allegrin nga pozicioni i tij si trajner i ekipit të parë. Shkarkimi vjen pas disa sjelljeve gjatë dhe pas finales së Kupës së Italisë që klubi i konsideroi të papajtueshme me vlerat e Juventusit dhe sjelljen që duhet të kishin ata që e përfaqësojnë këtë klub. Përfundon një periudhë bashkëpunimi, e cila filloi në 2014, rifilloi në 2021 dhe përfundoi, pas tre sezoneve së bashku, me finalen e Kupës së Italisë. Klubi i uron Massimiliano Allegrit fat në përpjekjet e tij të ardhshme.”

Trajneri italian ishte nën kontratë deri në qershor 2025, por pritej gjerësisht të shkarkohej gjatë verës. Megjithatë, situata u përshkallëzua me shpejtësi pas gjesteve të Allegrit gjatë dhe pas fitores së Kupës së Italisë ndaj Atalantës të mërkurën.

Trajneri fillimisht u përjashtua për shkak të mospajtimit, më pas grisi xhaketën, kravatën dhe filloi të zhvesh këmishën, duke bërtitur dhe kërkuar ish-gjyqtarin Gianluca Rocchi (tani shef i gjyqtarëve) ndërsa ai u largua nga fusha. Gjatë festimeve të trofeut, ai u kap nga kamerat teksa i thoshte drejtorit të klubit Cristiano Giuntoli që të 'largohet' dhe të mos bashkohet me skuadrën.

Ky ishte qëndrimi i dytë i Allegrit në stolin e Juventusit pas 2014-2019, duke u rikthyer në verën e vitit 2021. Në ato tetë sezone, ai fitoi pesë tituj të Serisë A, katër edicione të Kupës së Italisë dhe dy trofe të Superkupës së Italisë.

Për rastësi edhe shkarkimi i tij i parë erdhi po më 17 maj, aso kohe në vitin 2019.

Lajme të ngjashme