Juventus triumfon në derbin e qyetit, i kthehet fitores në kampionat
Juventusi ka arritur ta shënojë një fitore të çmuar, duke mposhtur në udhëtim Torinon me rezultat 0:1. Krahasuar me ndeshjet tjera, sot Juventusi krijoi më shumë raste për shënim.
Fitore që mund të jetë një pikënisje e re për Juventusin: -kështu po interpretohet nga njohësit e futbollit italian triumfi i Juventusit në derbin lokal të sotëm.
Humbja e vetme që Juventusi pranoi sot ishte lëndimi i Bremer, i cili u detyrua të zëvendësohej me Bonuccin në fillimin e pjesës së dytë.
Përgjithësisht ka qenë më konkret në lojë, duke mos lejuar shumë hapësira për skuadrën e Ivan Juric që të shfaqej e rrezikshme.
Kujtojmë se për Torinon lojtari i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, ndeshjen e nisi nga stoli, pasi akoma nuk është në kondicionin fizik më të mirë, si shkas i shumë lëndimeve të pranuara.
Raporti i ndeshjes Torino 0:1 Juventus
Fillimi i ndeshjes i takoi mysafirëve. Ishte Juventus që rrezikoi me gjysmë raste dhe raste të njëmendta për gol në pjesën e parë.
Së pari, Vlahovic në minutën e 34-të bëri një goditje të rrezikshme në drejtim të portierit bashkëkombës të tij, por ky i fundit ia doli që ta shmangë më të keqen.
Vetëm një minutë më vonë mesfushori italian, Manuel Locatelli, humbi një rast të volitshëm për gol. Sërish ishte portieri i Torinos ai që bëri një pritje të mirë.
Edhe fillimi i pjesës së dytë pa Juventusin me aksione më të qarta në fazën sulmuese. Torinon njihet si një skuadër që krijon volum loje përmes një presioni asfiksues, por këto elemente nuk u vunë në pah sot.
Kështu, mbizotërimi i Juventusit sa i përket rasteve konkrete për gol ishte evident. Në vijim, kur po zhvillohej minuta e 51-të, ishte sërish Locatelli që u shfaq i rrezikshëm para portës së nikoqirëve, por topi u devijua nga portieri Milinkovic-Savic dhe doli në këndore.
Mesfushori kreativ kroat, Nikola Vlasic, për herë të parë u shfaq kërcënues për portën e Juventusit në minutën e 58-të, por Szczesny mënjanoi rrezikun me pritjen e tij.
Dallimi në lojë u bë në minutën e 74-të. Gjatë një këndore të ekzekutuar nga mysafirët, Danilo goditi me kokë dhe nga afërsia shtyu topin në rrjetë.
Me këtë fitore Juventus përkohësisht ngjitet në pozitën e 7-të tabelore me 16 pikë të tubuara, ndryshe nga Torino që ngelet me 11 pikë në vendin e 11-të.

Tani e gjithë vëmendja e Juventusit pritet të koncentrohet në Serie A, pasi në Ligën e Kampionëve është një hap larg eliminimit të parakoshëm.
