Juventus jep shenja këndellje, shënon fitore me spektakël golash duke mbajtur portën e paprekur
Juventus ka shënuar fitoren e radhës në Serie A duke mposhtur 4:0 Empolin. Për dëshirën e Max Allegrit, mbrojtja as sot nuk pësoi gol, njësoj sikurse në derbin lokal ndaj Torinos para një jave.
Shenjë fillestare, por e rëndësishme. Juventus shënoi fitoren e radhës duke mbajtur portën e paprekur. Sot, Juventus u tregua maksimalisht pragmatik, pasi finalizoi me gola thuajse të gjitha goditjet që bëri në kuadratin e portës.
Empoli nuk ishte në lartësinë e duhur për t’u bërë ballë sulmeve të skuadrës së Allegrit. Në këtë sezon ekipi toskan ka shënuar shumë ulje dhe ngritje.
Juventusi shumë herët kaloi në epërsi. Para fillimit të ndeshjes iu dha besimi i plotë sulmuesit Kean dhe ai këtë e legjitimoi shumë shpejt.
Pasi u shërbye nga Kostic, sulmuesi qëndror nuk gaboi para portës, për të kaluar në epërsi vendësit 1:0.
Juventus koncentroi lojën në kundërsulme gjatë pjesës së parë. Me disa dalje të shpejta rrezikoi që ta dyfishonte epërsinë, por pa sukses. Qarkullimi i topit në pjesëlojën e parë ishte në të mirë të Empolit, ku pas mbylljes së 45 minutave të para statistikat flisnin 35% - 45% në favor të ekipit të udhëhequr nga Zanetti.
Sidoqoftë, u nevojit pjesa e dytë për t’i dhënë Juventusi epilog ndeshjes. Ishte mesfushori McKennie ai që dyfishoi epërsinë, për t’i dhënë një qetësi ekipit të tij.
Në minutën e 56-të ai përfitoi nga një këndore e ekzekutuar në mënyrë shumë të mirë nga Cuadrado. Falë një shkëputje perfekte me kokë, Cuadrado shënoi me kokë për 2:0.
Ndërkaq krejt në fund Juventusi thelloi akoma më shumë epërsinë. Mesfushori francez Rabiot u regjistrua në listën e golashënuesve të ndeshjes.
Ai në minutën e 82-të shënoi për 3:0. Sërish ishte Cuadrado ai që harkoi për mrekulli nga këndorja. Rabiot u gjend në vendin e duhur dhe me kokë dërgoi topin brenda vijës së portës.
Mesfushori francez me kaq nuk u mjaftua. Ai gjeti sërish golin në fund të ndeshjes. Konkretisht në minutën 90+4’ mbrojtësi i krahut të djathtë, Danilo, shërbeu bukur me pasim tokazi Rabiotin, i cili gjendej në afërsi të portës.
I ndodhur me portën bosh, ai nuk gaboi dhe shënoi për 4:0. Njëherësh, ky ishte goli i tij i 4-të në ndeshje. Me këto gola të sotme ai në një mase u kundërpërgjigj kritikëve të shumtë, të cilët vinin theksin te mos qenët kontribuues në fazën sulmuese të ekipit.
Me rezultatin 4:0 përfundoi i gjithë takimi. Kjo ishte fitorja e dytë rresht për Max Allegrin. Mund të thuhet se është një ogur i mirë për vijimin e kampionatit.
Tani Juventus renditet në pozitën e 7-të me 19 pikë të tubuara, ndryshe nga Empoli që ka 11 pikë dhe renditet në pozitën e 11-të.

