Juventus i hapur për shitjen e Paul Pogbas
Juventus është i hapur për ta shitur mesfushorin Paul Pogba këtë verë, vetëm një vit pasi iu bashkua nga Manchester Unitedi.
Francezi u rikthye te klubi italian pasi u largua nga “Djajtë e Kuq” si agjent i lirë, mirëpo që asgjë s’i ka shkuar sipas planit pasi ka pasur lëndime përfshirë operimin që e bëri në gju.
Sipas gazetës së njohur “Gazzetta dello Sport”, “Zonja e Vjetër” është e hapur të dëgjojë oferta për 30-vjeçcarin.
Raporti shton se Pogba mund të largohet nëse vjen ndonjë ofertë e arsyeshme, por klubi frikësohet se dëshira e lojtarit për të qëndruar mund t’ua ndryshojë planet.
Pogba ka bërë vetëm 10 paraqitje për Juventusin edicionin që lamë pas, derisa ka kontratë deri më 2026.
Ai në periudhën e parë me “Bianconerët” kaloi shkëlqyeshëm duke iu ndihmuar të fitojnë katër tituj radhazi të Serie A, si dhe dy herë Kupën e Italisë.
Pas kësaj, kaloi te Man Unitedi në atë kohë marrëveshje rekorde për 89 milionë funte, ku bëri 226 paraqitje në të gjitha garat te “Djajtë e Kuq”.
Mirëpo, lojtari e kishte pranuar se këto vitet e fundit nuk shkuan ashtu siç kishte planifikuar te gjiganti anglez.