Juventus eliminon Freiburgun, kualifikohet tutje
Juventus ka siguruar pozitën në çerekfinale të Ligës së Evropës, duke eliminuar Freiburgun me rezultat të përgjithshëm 0:3.
"Zonja e Vjetër" ishte më dominuese në të dy takimet, kësisoj me plot meritë siguroi kualifikimin për në fazën tjetër.
Freiburg e nisi shumë më mirë duke tentuar me anë të Matthias Ginter, që rrezikoi me një goditje me kokë, por që nuk u finalizua.
Ishte Dusan Vlahovic që kaloi Juven në epërsi me një gol nga afërsia, por që pastaj u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Situata u vështirësua për vendasit me Manuel Gulde që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pasi preku topin me dorë brenda zonës, duke shkaktuar edhe penallti.
Kësisoj, nga pika e bardhë u tregua i saktë Vlahovic për t'i dhënë epërsinë mysafirëve.
Pjesa e dytë ishte më e qetë, me vendasit që patën vështirësi me 10 lojtarë në fushë, derisa Juventusi mundohej të mbrohej më së miri.
Fitoren e Juves e vulosi krejt në fund sulmuesi Federico Chiesa pas një asistimi perfekt nga Adrien Rabiot (90+5').
Kështu, Juventus iu bashkohet skuadrave tjera çerekfinaliste dhe kundërshtarin do ta mësojë të premten.