Juve refuzoi ofertat e Chelseas dhe Man Unitedit për Yildiz
Manchester Unitedi dhe Chelsea ishin ndër klubet të cilat ofertat iu refuzuan nga Juventusi për talentin Kenan Yildiz verën e kaluar.
19-vjeçari impresionoi në sezonin e parë me “Zonjën e Vjetër”, duke shënuar katër gola në 23 paraqitje, ndërsa pastaj ndihmoi Turqinë të kualifikohet deri në çerekfinale të “Euro 2024”.
Kësisoj, Chelsea dhe Man Unitedi tentuan ta joshin Juventusin me oferta në verë, sidoqoftë të gjitha u refuzuan, kështu së paku raporton “Corriere dello Sport”.
Pavarësisht dëshirës së madhe të klubeve angleze, Juventusi e pa Yildiz si lojtar i paprekshëm andaj as nuk konsideroi të negocionte me ndonjë klub.
Përpos gjigantëve anglezë, interesim për ta huazuar kishin edhe Borussia Dortmund, Fenerbahce dhe Aston Villa, megjithatë përgjigja ishte sërish e njëjtë.
Juventusi në fakt aq shumë i beson turkut, sa ia rinovuan kontratën deri më 2029 dhe pastaj ia dhuruan numrin 10 në fanellë, të cilën e kanë mbajtur emra të mëdhenj si Alessandro Del Piero, Roberto Baggio e Michel Platini.
Yildiz ndërkohë po kalon formë të shkëlqyer nën urdhrat e Thiago Mottas këtë sezon, ku ka shënuar katër gola dhe dhuruar tre asistime në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.