Jurgen Klopp premton transferime të tjera te Liverpooli
Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp insiston se “Reds” do të përforcohet edhe më shumë në afatin veror.
Klubi anglez ka kompletuar dy prurje këtë verë duke transferuar Alexis Mac Allister nga Brighton dhe Dominik Szoboszlai nga RB Leipzig.
Sidoqoftë, Klopp e ka pranuar se do të ketë edhe disa transferime pavarësisht që fokusi tani është në fazën parapërgatitore.
“Fokusi kryesor dhe energjia duhet të shkojë në fazën parapërgatitore, kështu duhet t’ia bëjmë”.
“Ka ende tre apo katër javë deri në ndeshjen e parë të sezonit, disa gjëra mund të ndodhin deri atëherë. Padyshim. Afati veror gjithashtu, është e qartë kjo. Do të ndodh dhe ne do të kemi një skuadër të mirë”, deklaroi ai.
Klopp është i interesuar që të nënshkruajë edhe me një mesfushor, pasi dyshja Jordan Henderson dhe Fabinho do të kalojnë në Arabinë Saudite.
Liverpool ka qenë mjaftë aktive edhe në largime pasi Naby Keita, James Milner dhe Alex Oxlade-Chamberlain u larguan si agjent të lirë, derisa Fabio Carvalho iu bashkua RB Leipzigut në formë huazimi.
Liverpool do t’i zhvillojë edhe miqësoret ndaj Leicester Cityt, Bayern Munichut dhe Darmstadt para se të nisin sezonin kundër Chelseas më 13 gusht.
Edicionin e kaluar, “Reds” dështuan të kualifikohen në Ligën e Kampionëve duke e mbyllur si vend i pestë.