Jurgen Klopp e krahason blerjen e Bellinghamit me kërkesën e një fëmije për t'i blerë Ferrari
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka krahasuar diskutimin për blerjen e lojtarëve të shtrenjtë me kërkesën e një fëmijë pesëvjeçar për të pasur një Ferrari dhuratë për Krishtlindje.
Klopp thotë se do të punojë me ekipin që e ka, pasi Liverpooli u tërhoq nga gara për ta blerë mesfushorin e shumëkërkuar anglez, Jude Bellingham.
Përkundër se të kuqtë u përpoqën të nënshkruanin me yllin e Borussia Dortmundit, hoqën dorë për shkak të çmimit të tij të lartë, mbi 100 milionë euro.
“Nuk mund t’i blejmë gjashtë lojtarë në verë, secilin nga 100 milionë funte”, tha Klopp.
Ai e krahasoi atë me një fëmijë pesëvjeçar që kërkon Ferrari për Krishtlindje.
“Ne nuk jemi fëmijë; kur e pyet një pesëvjeçar çka do për Krishtlindje dhe ai thotë e dua një Ferrari, ju nuk do të thoshit ‘oh, kjo është ide e mirë’.
“Ju do të thoshit ‘jo, është shumë e shtrenjtë dhe sidoqoftë nuk mund ta vozisni’. Nëse ky fëmijë është i palumtur pastaj tërë jetën e tij, sepse nuk arriti ta ketë një Ferrari, do të ishte një jetë shumë e trishtueshme”, theksoi Klopp.

Ai shtoi: “Çfarë kemi nevojë dhe çfarë duam, bëjmë gjithçka për ta pasur, por ka çaste kur duhet ta kuptosh se kjo apo ajo nuk është e mundur për ne, tërhiqesh dhe bën diçka tjetër”.
Liverpoolit do t’i kthehet Luis Diaz për ndeshjen kundër Leeds United të hënën në Elland Road.
Të kuqtë janë në vendin e tetë në tabelë dhe e kanë fituar vetëm njërën prej pesë ndeshjeve të fundit në Premierligë.
