Joshua e shkatërron Ngannoun, fiton me nokaut në raundin e dytë
Britaniku, Anthony Joshua, e ka kaluar pa shumë probleme pengesën e radhës, Francis Ngannou, në rrugën për t'u kthyer te titujt, pasi fitoi me nokaut qysh në raundin e dytë.
Për ish-kampionin e UFC-së kjo ishte përballja e dytë në boksin profesionist, pasi më herët kishte pësuar humbje ndaj Tyson Furyt, ndonëse këtij të fundit i kishte paraqitur më shumë probleme.
Përballja në Riad të Arabisë Saudite u dominua që nga fillimi nga 34-vjeçari, i cili e hodhi në dyshime kundërshtarin e tij me një goditje të fortë me dorën e djathtë, por Ngannou i shpëtoi numërimit, për t'u çuar në këmbë.
Joshua e goditi sërish fuqishëm, kësaj radhe në raundin e dytë, në afërsi të veshit të madh, por Ngannou ishte i vendosur për të luftuar tutje.
Britaniku i vërejti se gjendja e kundërshtarit të tij 37-vjeçar nuk ishte e mirë dhe sulmoi menjëherë, ku me një goditje të radhës shumë të fuqishme e detyroi gjyqtarin të ndalonte meçin për t'i dhënë fitore Anthony Joshua me nokaut.
This ringside angle of @anthonyjoshua's finish is SAVAGE ☠️#JoshuaNgannou | #KnockoutChaos | #RiyadhSeason pic.twitter.com/YJYV8hPmmD
— DAZN Boxing (@DAZNBoxing) March 9, 2024
Joshua që tani është rrugës së mirë për të siguruar një luftë për titull, u deklarua pas meçit, ku tha: "Rrugës për te titulli ju gjithmonë duhet të jeni të fokusuar. Kur e pash Ngannoun duke u rrahur me Tyson mendova se ky djalosh mund të luftojë dhe kisha nevojë për këtë luftë. Ai është një inspirim, një kampion i madh. Kjo humbje nuk do të thotë asgjë për atë, pasi boksi e ka që njëri duhet të fitojë, ai mund të rikthehet."
Me këtë fitore, ish-kampioni i botës në dy kohë, tani shkon në 28 fitore nga të cilat 25 i ka me nokaut, ndërsa ka pësuar tre humbje në karrierë.
Në anën tjetër, Ngannou me prejardhje nga Kameruni e me pasaportë franceze, është një kampion i padiskutueshëm në artet marciale apo UFC, por boksin profesionist nuk ka nisur në rrugë të mirë, duke pësuar dy humbje në po aq meçe, pasi u përball me dy gjigantë të këtij sporti, siç janë Fury e Joshua.
Karriera e tij nuk ka shumë shpresa të vazhdojë, pasi ai tani është në moshën 37-vjeçare.