Jose Mourinho synon rikthimin sensacional te Man United
Trajneri Jose Mourinho është duke shpresuar për një rikthim sensacional te Manchester Unitedi.
“Mail Sport” raporton se tekniku portugez po ëndërron rikthimin në “Old Trafford” pasi ndjehet se nuk e ka përfunduar punën si duhet.
Mourinho do të ishte i etur për të punuar me regjimin e ri të Unitedit, pasi Sir Ratliffe dhe INEOS kanë blerë 25 për qind të aksioneve brenda klubit.
“Ambicia e tij është rikthimi te Unitedi. Ai ndihet sikur ka punë të pakryer duke parë mënyrën si shkoi herën e fundit dhe e ka bërë mision rikthimin”, tha një shok i Mourinhos, emri i të cilit s’është bërë i ditur për mediumin britanik.
Mourinho mori drejtimin e United në vitin 2016 pas largimit të Louis van Gaal. Ai fitoi Europa League dhe Carabao Cup në sezonin e tij të parë dhe e ndoqi atë me një përfundim në vendin e dytë në Premier League vitin e ardhshëm, megjithëse ata përfunduan 19 pikë larg rivalëve të Cityt.
Ai nënshkroi rinovimin e kontratës që zgjati deri në vitin 2021, por tensioni u rrit midis tij dhe atyre në pozita të pushtetit, veçanërisht pasi klubi humbi një seri objektivash transferimi dhe ai u shkarkua pas një disfate ndaj Liverpoolit.