Jose Mourinho do ta donte rikthimin te Chelsea
Trajneri Jose Mourinho do ta donte rikthimin për herë të tretë te Chelsea.
Trajneri Mauricio Pochettino është nën presion të vazhdueshëm shkak i rezultateve negative, e sidomos pas humbjes 4:2 në vikend ndaj Wolves.
Mourinho momentalisht është agjent i lirë pasi u shkarkua nga Roma në janar dhe sipas “Daily Mail”, ai do ta donte mundësinë e rikthimit në “Stamford Bridge” edhe për një herë tjetër.
Përpos lidhjes me klubin, Mourinho e preferon rikthimin te Chelsea për arsye personale. Familja e tij është vetëm 200 metra larg stadiumit dhe kuptohet që fëmijët e tij së bashku me gruan jetojnë aty.
Si rezultat, një rikthim te Chelsea do të ishte i shkëlqyeshëm për Mourinhon mirëpo mbetet të shihet nëse Todd Boehly do të vazhdojë t’i qëndrojë besnik Pohcettinos, që të martën mori një mesazh mbështetës nga drejtuesit pavarësisht humbjes së fundit.
Mourinho iu bashkua Chelseas në vitin 2004 për herë të parë, duke fituar dy tituj të Premierligës dhe pastaj si pasojë e disa mosmarrëveshjeve u largua më 2007.
Pas sukseseve te Inter dhe Real Madrid, Mourinho u rikthye te Chelsea në vitin 2013 dhe pranë yjeve si Diego Costa dhe Cesc Fabregas arriti ta fitojë edhe një herë titullin para se të largohet më 2015.