Jordan Pickford theu rekordin 34-vjeçar ndaj Danimarkës
Portieri Jordan Pickford u bë portieri me më së shumti paraqitje te Anglia në turne të mëdha, duke thyer rekordin 34-vjeçar që e mbante Peter Shilton.
30-vjeçari bëri paraqitje në turneun e katërt të madh, duke nisur debutimin më 2017.
Paraqitja e parë e Pickfordit ndodhi në Kupën e Botës 20-18, ku luajti rol të rëndësishëm duke ndihmuar Anglinë të kualifikohet në gjysmëfinale. Ai mbrojti penalltinë e Carlos Baccas për ta eliminuar Kolumbinë në 11-metërsha.
Tre vite më vonë, në Euro 2020, Pickford u bë portieri me më së shumti minuta pa pranuar gol (721), duke kaluar rekordin e Gordon Banks. Skuadra e Southgate arriti në finale, por humbi ndaj Italisë.
Portieri i Evertonit ishte në portë me Anglinë edhe në Kupën e Botës 2022, ku u eliminuan në çerekfinale nga Franca, kurse tani ka ruajtur vendin në “Euro 2024” para Ramsdale dhe Dean Henderson.
Me paraqitjen ndaj Danimarkës, Pickford ka bërë 21 paraqitje në turne, duke tejkaluar Shilton që kishte regjistruar 20 sosh në karrierën e tij 20-vjeçare.
Përndryshe, Anglia dëshpëroi në paraqitjen e dytë në Evropian, duke fituar vetëm një pikë ndaj Danimarkës.