Joao Cancelo i palumtur te Bayerni, mban takim me Nagelsmannin
Mbrojtësi Joao Cancelo ka biseduar me trajnerin Julian Nagelsmann pas raportimeve se mund të rikthehet te Manchester City në verë.
Huazimi i portugezit te gjiganti gjerman ka qenë befasues për të gjithë, me Pep Guardiolan që më vonë tregoi se lojtari ishte i pakënaqur me minutazhën.
Cancelo e nisi për mrekulli karrierën në Munich, por së fundmi ka qenë vetëm në stol duke përfshirë edhe në fitoren 2:0 ndaj PSG-së në Ligën e kampionëve.
Nagelsmann së fundmi ka treguar se është takuar me Cancelon ku kanë diskutuar për situatën aktuale dhe që portugezi mund të nis nga minuta e parë në ndeshjen e radhës.
"Si qëndrojnë gjërat, ai do të nis nga minuta e parë ndaj Augsburgut. Ai reagoi menjëherë. Në stërvitje nuk ishte mirë dhe pastaj kishim një diskutim. Biseda ishte shumë e hapur, i bëri shumë mirë", deklaroi ai.
Siç raporton mediumi spanjoll "Sport", Bayern Munich e ka komunikuar Cityn se nuk do të aktivizojnë klauzolën e blerjes prej 62 milionë funteve.
Javën e kaluar drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic për Cancelon tha: "Ai nuk ka qenë duke stërvitur dhe duke luajtur si ka imagjinuar vetë së fundmi".
Ndërkohë, Barcelona është duke e vlerësuar lartë mbrojtësin dhe pritet të provojë ta transferojë në afatin e verës.