Joan Laporta: Nëse do të më telefononte Messi për t'u rikthyer në Barcelonë, do të isha më se i lumtur - NACIONALE

Joan Laporta: Nëse do të më telefononte Messi për t'u rikthyer në Barcelonë, do të isha më se i lumtur

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i klubit të Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për një mori temash, përfshirë atë të Leo Messi, në një intervistë që ka dhënë për RTVE. Për shkak të parametrave financiare që kishte vendosur La Liga për afatin kalimtar të transferimit të lojtarëve dhe federimin e tyre, i ishte pamundësuar rinovimi i kontratës së Messi. Kjo bëri që ylli argjentinas të largohej nga Barcelona për ta vazhduar karrierën në PSG.

"Nëse Messi do të telefononte një ditë dhe të më thoshte që dëshiron të rikthehet në Barcelonë, do t'i thoja 'eja të flasim, Leo'. Do të isha më se i lumtur", nënvizoi presidenti i klubit katalonas.

Gjatë intervistës ai ka folur edhe për tema të tjera që gjithashtu janë të rëndësishme, siç është gjendja e kontratës me Ousmane Dembele, i cili së fundmi ka rritur përformancën e tij dhe po luan në një nivel më të kënaqshëm sesa që ishim mësuar ta shohim në fillim të aventurës në Barcelonë. Tërë kjo edhe falë besimit që ka arritur t'ia transmetojë Xavi.

"Ai [Dembele] e di që e duam. Xavi ka arritur ta përmirësojë dhe ai ka filluar të jetë sërish i dobishëm. Ne mburremi me të!
Ousmane Dembele ndihet i përkëdhelur dhe i vlerësuar. Ai është në përfundim të kontratës, por e di që ndihet mirë në Barcelonë. Përveç kësaj, ardhja e Aubameyang ka bërë që të jetë akoma më i lumtur. Gjithsesi, nuk do të kemi problem të flasim me agjentin e tij"
, deklaroi Laporta.

Shtypi i afërt me Barcelonën disa herë ka vënë theksin te një afrim i i mundshëm i sulmuesit të spikatur të Dortmund dhe Kombëtares së Norvegjisë, Erling Håland.

"Kam qenë shumë i qartë. Dua ta vendosi institucionin [klubin] dhe rregullat mbi lojtarët, trajnerët dhe drejtuesit. Nuk do të bëjmë afrime të lojtarëve që do të dëmtojnë strukturen e pagave vjetore. Duam ta maksimalizojmë cilësisht skuadrën përtej aftësive individuale. Tani nuk dua të jap asnjë emër, sepse do ta rriste çmimin dhe nuk do t'i bëja aspak favor Barcelonës", shtoi mes të qeshurave ai.

Gjatë kësaj interviste nuk kishte si të mungonte një prononcim i presidentit Laporta në lidhje me formatin e Superligës evropiane, që doli në sipërfaqe vitin e kaluar dhe për fare pak orë shkaktoi një tollovi dhe huti të madhe, me opinionin futbolldashës sportiv që u nda në dysh, me ata që e pëlqenin propozimin e inicuar nga Florentino Perez dhe Andrea Agnelli dhe ata që këmbëngulnin në çdo lloj forme ta kundërshtonin. Situata në fjalë shkaktoi tensionime të theksuara me UEFA-n, me vetë federatat respektive, si dhe me një vendosmëri të hekurt të institucioneve shtetërore britanike që ta ndalonin atë projekt, gjë që bëri që gjashtë klubet e mëdha angleze të tërhiqeshin pas një dite. Mirëpo, siç duket një nismë e tillë vetëm e vdekur nuk mund të quhet.

"Projekti vazhdon të shkojë përpara. Jemi duke e promovuar së bashku me Florentino Perez, me të cilin flas shpesh. Kjo është një mënyrë për ta shpëtuar futbollin evropian. Kuptohet se është e qartë që duhet ta përfshijmë në kuadrin e organizimit të futbollit në Evropë dhe pa e vënë ndesh me kampionatet respektive, por si iniciativë është determinuese për neve", tha ai.

Për fund Laporta u shpreh edhe rreth disa pronësive të klubeve që kontestohen, si ajo e Manchester City apo PSG, ku ai foli hapur.

"Nuk mund të lejojmë që futbolli evropian të jetë në duart e shteteve që nuk i përkasin hartës gjeografike të Bashkimit Evropian. Është e qartë që Manchester City dhe PSG kanë një makineri për të prodhuar para dhe ne jemi duke luftuar me këtë fenomen. Nuk jemi të vetëm në këtë betejë, pasi ka edhe klube tjera që na mbështesin", përfundoi presidenti katolanas, Joan Laporta.

Lajme të ngjashme