Java e 29-të e Superligës së Kosovës fillon me tri ndeshje që do ta qartësojnë më shumë luftën për mbijetesë
Superliga e Kosovës në futboll rikthehet në aksion me javën e 29-të, ku do të luhen tri ndeshje të rëndësishme sa i përket betejës për mbijetesë. Feronikeli me shumë gjasa sot edhe matematikisht do të jetë skuadra e parë që do të bie nga liga. Në letër Gjilani pritet t'i fitojë tri pikët pa shumë telashe. Ulpiana do të përpiqet që të rekuperojë terren pas zhytjes që është katandisur drejt rënies nga liga. Ndërkaq, ekipet tjera luajnë për shmangie të barazhit.
Pas ditës së sotme tabela pritet të jetë më e qartë sa i përket pozitave të fundit. Në program janë tri ndeshje të rëndësishme në këtë kontekst.
Bëhet fjalë për takimet Gjilani : Feronikeli, Drenica : Dukagjini dhe Malisheva : Ulpiana.
Deri në përfundim të kampionatit janë edhe tetë ndeshje. Ende po luhet dhe luftohet për të gjitha objektivat e rëndësishme. Ballkani po prin ndjeshëm sa i përket garës për titull dhe Feronikeli 'de jure' veçse është përshendetur nga liga, ndërsa zyrtarisht diçka e tillë me shumë gjasa pritet të arrihet sot. Mirëpo, sa i përket pozitave tjera, akoma gjithçka është e hapur.
Gjilani : Feronikeli
Ekipi i Ismet Munishit llogaritet favorit absolut pas krizës së thellë në të cilën ka rrëshqitur Feronikeli tani e disa muaj, ku po luan me juniorë. Gjilanasit janë -8 pikë në ndjekje të kryesuesit të kampionatit, Ballkanit. Ata kanë deklaruar që do të luftojnë deri në fund për të shpresuar që t'ia dalin ta rrëmbejnë pozitën e parë. Sot, mund ta shënojnë fitoren e dytë radhazi që do t'u ndihmonte për shtatë ndeshjet tjera në mënyrë që ta rrisnin sa më shumë presionin karshi therandasve sa i përket betejës për titull.
Drenica : Dukagjini
Një ndeshje direkte për barazh luhet sot në stadiumin 'Bajram Aliu' në Skenderaj. Tahir Lushtaku dhe Armend Dallku do të sfidojnë njëri-tjetrin në një ndeshje që do të vendosë nëse do të thellohet distanca mes dy skuadrave në rast të fitores së ekipit vendas, apo dukagjinasit do t'i rihapin llogaritë sa i përket garës për shmangie nga zona e barazhit. Momentalisht distanca mes dy ekipeve është 5 pikë.
Drenica nuk e ka humbur asnjëren prej përballjeve direkte në këtë sezon, duke gëzuar një bilanc tejet pozitiv ndaj Dukagjinit, me tri fitore.
Për më tepër, qëkur është pjesë e Superligës së Kosovës, ekipi drenicas nuk ka humbur asnjëherë ndaj Dukagjinit në Skenderaj.
Malisheva : Ulpiana
Ekipi vendas i drejtuar nga Arsim Thaqi ka një kapital prej 8 pikëve përparësi ndaj Ulpianës. Sot, më shumë sesa për malishevasit, është një ndeshje vendimtare për Ulpianën, të cilët nuk dijnë për fitore pothuajse tani e dy muaj. Kjo ka bërë që të humbasin shumë pikë dhe rrjedhimisht ta blindojnë pozitën e parafundit në renditje tabelare. Zona e barazhit për ulpianasit është 6 pikë larg.
Në anën tjetër, për Malishevën është një mundësi e mirë që nëse do të dilnin triumfues në këtë përballje direkte, ata do ta konsolidonin pozicionin e tyre në tabelë, duke fituar shumë terren në luftën për mbijtesë.
Malisheva vjen pas tri rezultateve ku nuk ka arritur të korrë fitore, me një humbje dhe dy barazime.
Përballjet direkte mes të dy skuadrave kanë rezervuar një bilanc të baraspeshuar, me një fitore për gjithësecilen dhe një barazim tjetër.
