Java e 23 e Superligës: Çfarë mësuam
Triumfi i Ballkanit ndaj Llapit, fitorja e parë e Drenicës kundër Dritës pas pesë viteve dhe një tjetër humbje e Prishtinës, megjithëse jo e papritur, ishin në qendër të vëmendjes së javës së 23-të në Superligë.
Ballkani 1:0 Llapi
Në ndeshjen e tij të 400-të si trajner, Ilir Daja e vazhdoi ecurinë e përkryer të fitoreve qëkur u emërua trajner i Ballkanit në janar; gjashtë fitore në gjashtë ndeshje.
Ishte një ndeshje e dobët kryesisht në 70 minutat e parë një ndeshje të cilësuar si derbi dhe u nevojit një çast shkëlqesie nga anësori i talentuar Ermal Krasniqi për ta thyer mërzinë një çerek para fundit në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.
Krasniqi, i cili me pak fat ka mundur ta mbyllte ndeshjen me het-trik, e shënoi golin e vetëm dhe të tri pikëve të rëndësishme ndaj një skuadre në formë të Llapit, e cila ishte i pamposhtur në vitin 2022 para këtij takimi.

Anësori 23-vjeçar e paraboloi portierin Marijan Coric në minutën e 73-të për ta gjetur rrjetën e portës, kroatin gjigant i cili i kishte bërë disa pritje të mrekullueshme kundër tij dhe Albion Rrahmanit paraprakisht.
Ishte goli i tij i nëntë këtë sezon, i cili e ndihmon Ballkanin ta ruajë epërsinë prej dy pikëve ndaj rivalit për titull Gjilanit në krye të tabelës në Superligë.
Pavarësisht kritikave të trajnerit Tahir Batatina pas ndeshjes se Ballkani nuk bëri futboll, skuadra e tij Llapi nuk e krijoi asnjë mundësi të mirëfilltë shënimi. Kluni nga Podujeva nuk tregoi asgjë për të merituar më shumë se një disfatë.
Drenica 2:1 Drita
Drenica kishte shumë për të festuar të dielën pasdite, pasi iu dha fund dy ecurive negative në fitoren e madhe 2:1 ndaj Dritës.
Për Dritën ndodhi e kundërta, dy humbje radhazi mund të nënkuptojnë hap i madh mbrapa, edhe pse jo i pakthyeshëm, në garë për titull. Sepse kaltërebardhët tani ngelin shtatë pikë mbrapa liderit Ballkanit.
Derbi i Anamoravës me Gjilanin të enjten do të jetë vendimtar për fatin e saj në garë për titull.
Për klubin nga Skenderaj triumfi në një terren të lyer me baltë si pasojë e borës së madhe - largimi i së cilës nga fusha e shtyu fillimin e ndeshjes për disa minuta - nuk nënkuptoi vetëm tri pikë për t’i ikur edhe më shumë zonës së rënies nga elita.

Por kuqezinjtë i dhanë fund një agjërimi prej 328 minutave pa shënuar gol dhe ecurisë së gjatë prej pesë viteve pa fitore kundër Dritës.
Fatlum Gashi dhe Kreshnuk Uka shënuan nga një herë në pjesën e parë për triumfin e parë të Drenicës kundër Dritës nga viti 2017.
Marko Simonovski i dha shpresë skuadrës së Ardian Nuhiut herët në pjesën e dytë, por gjilanasit nuk qenë në gjendje ta thyejnë Drenicën.
Dukagjini 2:1 Prishtina
Gjërat po shkojnë duke u përkeqësuar për kampionen në fuqi, Prishtina, të cilës sikur mos t’i mjaftonin telashet financiare, tani ajo duhet të luftojë për mbijetesë nga kjo javë.
Jo vetëm që ia shkaktoi një tjetër humbje klubit kryeqytetas, por Dukagjini i fitoi edhe tri pikë të mëdha në përpjekje për ta shmangur rënien në Ligën e Parë vetëm një sezon pas promovimit.
Veterani i pandalshëm Mentor Zhdrella i dha epërsinë klubit nga Klina para se Mendurim Hoti ta kthente Prishtinën në lojë, por një penallti e Altin Merlakut ia vulosi fitoren e dytë radhazi skuadrës së Armend Dallkut.

Skuadra e Dallkut tani ka vetëm dy pikë më pak se Prishtina në vendin e tetë. Telashet financiare e kanë çuar klubin buzë humnerës; nga epiteti i kampionit në fuqi në një skuadër që do t'i duhet të luftojë për ta shmangur rënien nga liga.
Prishtina është ende në kërkim të fitores së parë në vitin 2022.
Gjilani 2:0 Ulpiana
Gjilani e la mbrapa barazimin zhgënjyes me Prishtinën nga java e kaluar dhe e rigjeti rrugën e triumfit duke e mundur lehtësisht 2:0 Ulpianën.
Kjo nënkupton se skuadra e Ismet Munishit e vazhdoi trysnin ndaj liderit Ballkanit në një garë për titull që duket se po e merr formën e garës dyfrontëshe.

Gerhard Progni e vazhdoi formën mbresëlënëse të këtij sezoni duke shënuar golin e parë për gjilanasit, me Shpend Kelmendin që e realizoi golin tjetër.
Ulpiana nuk ka mundur të bënte shumë ndaj fuqisë së skuadrës së Munishit dhe kjo humbje, e treta në pesë ndeshjet e fundit, ia vështirëson edhe më shumë përpjekjet e mbijetesës.
Malisheva 6:1 Feronikeli
Për Forenikeli, dikur kampionin e Kosovës, ishte avazi i vjetër. Lojë e re, kundërshtari i ri, disfatë e njëjtë.
Malisheva nuk kishte fituar në tri ndeshjet paraprake, dy humbje e një barazim, dhe ishte e qartë fitorja për të, vetëm rezultati final jo.

Të luash më juniorë është e natyrshme të pësosh gjashtë herë. Feronikeli do të bjerë nga liga dhe rrezikon të mos kthehet më, nëse telashet financiare nuk i zgjidh me kohë.
Rezultatet e javës së 23-të:

Tabela:
