Java e 11-të e Superligës së Kosovës fillon sot, Ballkani e pret Gjilanin
Java e 11-të e Superligës së Kosovës do të zhvillohet në mesjavë, aty ku takimi i parë është sot mes kampionit në fuqi, Ballkanit, që do ta presë Gjilanin.
Ballkani vjen në këtë përballje pas një barazimi pa gola në udhëtim te Dukagjini, e në anën tjetër Gjilani shënoi fitore të madhe 2:1 ndaj Llapit, për t'u këndellur sadopak.
Kampioni në fuqi vijon të mbetet në vendin e parë në renditjen tabelore me 18 pikë të grumbulluara në 10 xhiro, ndonëse skuadra si Prishtina, Suhareka e Drita kanë ndeshje më pak të zhvilluara.
Në anën tjetër, Gjilani, përkundër që ka një skuadër mjaft të fortë, nuk e ka pasur fillimin më të mirë të saj. Ata janë në vendin e tetë me 12 pikë nga 10 ndeshje të zhvilluara.
Përballja e sotme në stadiumin e qytetit në Suharekë, shënon fillimin e javës së 11-të.
Ballkani është favorit për të fituar sfidën ndaj Gjilanit, por këta të fundit kanë treguar se janë arrë e fortë në duelet me skuadrat e pjesës së lartë të tabelës.
Java e 11-të pastaj vazhdon nesër me dy ndeshje: Llapi - Feronikeli 74 dhe Dukagjini - Suhareka, ndërsa të enjten përballen: Drita - Prishtina dhe Ferizaj - Malisheva.