Januzaj, storie dështimi: Trajneri vijon të mos e konsiderojë fare si alternativë për ta futur në lojë - NACIONALE

Januzaj, storie dështimi: Trajneri vijon të mos e konsiderojë fare si alternativë për ta futur në lojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Viti 2022 ka qenë aspak mirë për Adnan Januzajn. Përfaqësuesi belg nuk po gjen assesi rehati te klubi i ri, Sevilla. Vetëm tre gola të shënuar gjatë tërë vitit. Trajneri nuk e konsideron fare si opsion me vlerë.

Trajneri argjentinas i Sevillas, Jorge Sampaoli, vijon ankesat e tij që ka një organikë me jo shumë alternativa, pasi ka një mori lojtarësh të lënduar dhe disa të tjerë jo në elementin më të mirë fizik.

Sidoqoftë, një lojtar që është krejtësisht i gatshëm për lojë dhe që nuk vuan nga asnjë lëndim për momentin quhet Adnan Januzaj.

Sulmuesi që zgjodhi ta përfaqësojë Belgjikën, nuk po sheh dot dritë gjatë këtij viti. Më shumë i ulur në stol sesa që i angazhuar në fushë. Sampaoli ditë më parë deklaroi se nuk e sheh të ambientuar në skemat e skuadrës.

Kështu Januzaj gjatë tërë këtij edicioni të sivjetëm numëron vetëm 46 minuta në fushë. Në njërin rast (dhe të vetmin) kur u inkuadrua si titullar dëshpëroi fort trajnerin e tij, saqë e largoi menjëherë me të nisur pjesa e dytë. Bëhet fjalë për ndeshje kundër Vallecanos, që Sevilla e humbi 0:1 më 29 tetor.

Ndërkaq në sfidën tjetër, atë më 9 nëntor, luajti vetëm 1 minutë kundër ish-skuadrës së tij, Sociedadit. Shumë pak në krahasim me potencialin teknik që ka dhe shpresat që kishte tek ai vetë Sevilla, që gjatë verës siguroi shërbimet e tij me parametra zero.

Januzaj vitin 2022 e mbylli me vetëm 3 gola të shënuar në të gjitha garat, gjegjësisht dy në La Liga dhe një tjetër në Kupën e Mbretit. Një vit për t’u harruar për atë që dikur trumbetohej si talenti që do të lërte gjurmë në futboll. Koha e tregoi të kundërtën për fatin e tij të keq.

Lajme të ngjashme