Zyrtare: Belgjika nuk e thirr Adnan Januzajn për Kupën e Botës - NACIONALE

Zyrtare: Belgjika nuk e thirr Adnan Januzajn për Kupën e Botës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Belgjika e ka bërë të ditur listën prej 26 lojtarëve të ftuar për Kupën e Botës 2022 që mbahet në Katar, ku Romelu Lukaku ia ka dalë të jetë pjesë e kombëtares edhe pas shqetësimeve muskulore, por mesfushori shqiptar me nënshtetësi belge, Adnan Januazaj, nuk është ftuar nga përzgjedhësi, Roberto Martinez.

Pjesë e listës janë Dries Mertens, futbollist i Galatasarayt e Leandro Trossard i Brightonit, ndërkaq pjesa tjetër është e përbërë nga futbollistët më në formë dhe që janë të përhershëm në vitet e fundit për djajtë e kuq, raporton Nacionale.

Adnan Januzaj delighted to silence critics after firing Belgium winner over England at 2018 World Cup - Mirror Online

Adnan Januzaj, për të cilin ishte bërë një fushat shumë e madhe ta pranonte Kombëtaren shqiptare në vitin 2013 me moton ‘Adnan Januzaj thuaj po Shqipërisë’, përfundimisht vendosi ta përfaqësonte vendin që e rriti në aspektin sportiv, dhe pas një viti debutoi në një Kampionat Botëror, atë të Brazilit.

27-vjeçari përfundimisht u la jashtë listës së Kupës së Botës dhe kjo është hera e tretë që ndodh që nga viti 2014, pasi që edhe në Kampionatin Evropian të vitit 2016 dhe atë të 2020 (i mbajtur në vitin 2021) nuk ishte ftuar fare.

Belgjika është në një grup relativisht të lehtë në këtë Botëror, ku është favorit të dalë fitues, pasi së bashku me të janë Maroku, Kanada dhe Kroacia.

Ndërkaq, frika se Romelu Lukaku nuk do të ishte me djajtë e kuq në Katar mori fund sot, pasi emri i tij figuron në listën e 26 lojtarëve.

Sulmuesi i Interit, nuk ka zhvilluar shumë ndeshje këtë sezon pas disa shqetësimeve që ka pasur vazhdimisht.

Romelu Lukaku Desperate To Return For Inter But Getting Fit & Avoiding Risk Of Re-Injuring Himself A Worry, Italian Media Report

Ai u kthye për Interin në fund të muajit tetor, duke shënuar një gol në Ligën e Kampionëve pas inkuadrimit të tij, por në ndeshjen e radhës në Serie A kundër Sampdoria ndjeu prapë dhimbje, gjë që vuri në rrezik pjesëmarrjen e tij në Botëror.

Lista e plotë e Kombëtares së Belgjikës për Kupën e Botës 2022 është:

Portierët: Casteels, Courtois, Mignolet;

Mbrojtësit: Alderweireld, Debast, Faes, Theate, Vertonghen, Meunier, Castagne;

Mesfushorët: Carrasco, T.Hazard, De Bruyne, Dendoncker, Onana, Tielmans, Vanaken, Witsel;

Sulmuesit: De Ketelaere, Doku, E.Hazard, Mertens, Trossard, Batshuayi, Openda, Lukaku.

Januzaj nuk është as në listën e pritjes, pasi me anë të një Tweet-i, faqja zyrtare e Belgjikës ka njoftuar se Heynen, Saelemaekers, Lukebakio dhe Denayer do të jenë në pritje deri në fillim të turneut.

27-vjeçari u transferua në verën e këtij viti si lojtar i lirë në Sevilla, pasi i përfundoi kontrata me skuadrën paraprake Real Sociedad, në të cilën qëndroi për plotë pesë vite.

Në Sevilla, mesfushori belg po përballet me mungesë minutash dhe deri më tani ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, në vetëm njërën ka qenë titullar.

Për Kombëtaren belge, Januzaj ka gjithsej 15 paraqitje zyrtare dhe një gol të shënuar.

Lajme të ngjashme