Premierliga drejt shtyrjes së ndeshjeve pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II
Sot, vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II ka bërë që e gjithë Britania e Madhe dhe jo vetëm – të tronditej me lajmin e marrë. Pas këtij lajmi, Premierliga angleze e futbollit pritet që të vijë me disa njoftime.
Padyshim se ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II ka prekur edhe sportin britanik. Institucionet sportive dhe klubet e ndryshme ngushëlluan familjen e Mbretëreshës II, por nuk do të mjaftohet me kaq.
Britania e Madhe do të jetë në ditë zie për dhjetë ditë më radhë – deri në kohën e funeralit. Në këtë periudhë kohore pritet që të shtyhen edhe ngjarjet sportive. Kjo nënkupton se edhe Premierliga me shumë gjasë nuk do të luhet gjatë fundjavës, edhe pse kumtesa zyrtare akoma nuk ka ardhur.
Kështu të paktën bëjnë të ditur mediet ndërkombëtare, duke u thirrur në burimet e tyre. Tani i përket Federatës angleze të Futbollit që të dalë me një shpjegim në orët në vijim.
Ndeshjet në Ligën e Evropës dhe në Ligën e Konferencës ku marrin pjesë skuadrat angleze, nisën me një minut heshtje në nderim të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
Në Britani të Madhe pritet që të vendosën ekrane të madhe në të gjitha qytetet, për të bërë të mundur që të gjithë britanikët të kenë mundësi për ta ndjekur ceremoninë shtetërore në nderim të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, që për 70 vjet ishte udhëheqëse e tyre.
Jo vetëm Premierliga pritet t'i ndalë aktivitetet
Pezullimi i aktiviteteve sportive në Britani të Madhe pritet të hyjë në fuqi nga nesër. Gjatë këtyre orëve Departamenti i Sportit i shtetit britanik është në konsultim e sipër me federatat sportive, për t’i bashkërenduar hapat që do të merren në vazhdim.
Ragbi gjithashtu reflektoi dhe vendosi që t’i pezullojë ndeshjet që ishin në program gjatë mbrëmjes së sontme, me pëlqimin e skuadrave, të cilat nuk dolën në fushë.
Ka nga ata që mendojnë se pezullimi i aktiviteteve sportive do të zgjerohet edhe jashtë Britanisë së Madhe, respektivisht në Formula 1, me garën e madhe që është në program të dielën në Itali, e ku shumë instruktorë dhe ekipe nga Britania e Madhe marrin pjesë. Pra, nuk përjashtohet mundësia që edhe ajo garë të shtyhet për një orar të papërcaktuar, deri në konfirmime tjera.

