Izrael - Kosovë: Statistikë, vlerat e kombëtareve dhe formacionet e mundshme - NACIONALE

Izrael - Kosovë: Statistikë, vlerat e kombëtareve dhe formacionet e mundshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës të shtunën e nis aventurën për kualifikimin në Kampionat Evropian "Euro 2024", ku do të përballet me Izraelin.

"Dardanët" janë mysafir i rivalit direkt për avancimin tutje, ku pritet një ndeshje jo e lehtë pasi do të jetë një stadium i stërmbushur me afro 30 mijë tifozë.

Vlerat e dy kombëtareve, Kosova më e shtrenjtë

Nëse shohim të dhënat në "Transfermarkt", Kombëtarja e Kosovës është më e shtrenjtë se ajo e Izraelit.

"Dardanët" kushtojnë plot 93.25 milionë euro, për dallim nga Izraeli që vlen 61.15 milionë euro.

Kapiteni Amir Rrahmani është futbollisti më i shtrenjtë te Kosova (25 milionë euro), ndjekur nga Vedat Muriqi (15 milionë euro) dhe Milot Rashica (7.5 milionë euro).

Kurse, te Izraeli dallohen anësori i Fulhamit, Manor Solomon me 18 milionë euro dhe Oscar Gloukh, talenti i RB Salzburgut me 7 milionë euro.

Rezultatet në pesë ndeshjet e fundit

Në pesë ndeshjet e fundit, Izraeli qëndron paksa më mirë duke pasur një fitore më shumë se Kosova.

Izraeli në pesë ndeshjet e fundit ka shënuar dy fitore (njëra ndaj Shqipërisë), dy humbje dhe një barazim.

Ndërsa, Kosova numëron dy barazime (miqësoret e nëntorit), një fitore (ndaj Qipros) dhe dy humbje (kundër Irlandës Veriore dhe Greqisë).

Kosova dhe Izraeli nuk janë përballur asnjëherë më parë, prandaj kjo do të jetë ndeshja e parë.

Si Giresse edhe Hazan luajnë me formacion klasik

Si Alain Giresse, ashtu edhe Alon Hazan preferojnë të njëjtin sistem të lojës, pra formacionin klasik 4-3-3.

Giresse që kur mori drejtimin e "Dardanëve" më së shpeshti ka luajtur me 4-3-3 e një gjë të tille e preferon edhe Hazan.

Kjo mund të shihet në ndeshjen e Izraelit ndaj Qipros, ku Hazan luajti me 4-3-3, ku loja u zhvillua më shumë te anësorët e shpejtë mirëpo që në fund pësuan humbje.

Izraeli qëndron shumë më mirë në renditjen te FIFA, duke zënë pozitën e 76-të, me Kosovën që ndodhet në vendin e 107-të.

Formacionet e mundshme:

Izrael: Solomon, Weissman, Haziza, Kanichowsky, Lavi, Peretz, Leidner, Goldberg, Vitor, Dasa, Glazer.

Kosovë: Muric; Hadërgjonaj, Rrahmani, Kryeziu, Paqarada; Muslija, Rrudhani, Celina; Rashica, Zhegrova, Muriqi

Përndryshe, kujtojmë se përballja mes Izraelit dhe Kosovës zhvillohet në "Bloomfield Stadium" në Tel Aviv me fillim nga ora 18:00.

Lajme të ngjashme