Ismet Munishi trajner i ri i Prishtinës
Ismet Munishi është trajneri më i ri i Prishtinës. Palët kanë rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi.
Gjithçka mori formë në takimet e sontme që u zhvilluan. Një gjë të tillë vetë trajneri Munishi dhe familjarët e tij e kanë konfirmuar.
Madje, trajneri prishtinas ka vendosur si foto profili stemën e tifogrupit të Prishtinës, atë të Plisave. Një gjë të tillë ai e ka përdorur edhe në të kaluarën kur ka qenë në stolet e skuadrave si Drita, Ballkani dhe së fundmi Gjilani.
Edhe aksionari më i madh i Prishtinës, Rrahman Haradini, e ka konfirmuar lajmin për marrëveshjen e arritur me Munishin. Ai në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka shkruar si vijon:
"Vendimi për Ismet Munishin ishte i mirë dhe shumë i nevojshëm për neve".
Gjatë karrierës së tij pas pensionimit nga futbollit, Ismet Munishi ka qenë një herë drejtor sportiv i Llamkos Kosovës e pastaj trajner i saj, ku e ka fituar trofeun e vetëm të Superligës. Në vazhdim ka qenë në rolin e zëvendës-trajnerit te Trepça '89, ndërkaq stolet tjera në Superligë që i ka drejtuar janë ato të Hajvalisë, Feronikelit, Dritës, Ballkanit dhe Gjilanit. Ndërkaq, në Ligë të Parë ishte edhe trajner i Besës për pak kohë dhe i Vëllaznimit.
Shkarkimi i tij i fundit me Gjilanin nënkuptoi se 47-vjeçari ka ndërruar ekip plot tetë herë që prej se e udhëhoqi Vushtrrinë drejt titullit të kampionit të Kosovës në sezonin 2013/14. Shumicën e herëve, ai është shkarkuar.
Pra, tetë vjet, nëntë skuadra të ndryshme. Vetëm një herë kampion. Që nënkupton se mburrja e Munishit si “baba i trajnerëve” dhe trajneri i vetëm me b*le”, i ngjason më shumë etiketimit “baba i shkarkimeve”.
Në tetor 2014, Munishi dha dorëheqje nga Llamkos Kosova, pasi e kishte udhëhequr drejt titullit të parë të kampionit, i cili ishte edhe për të i pari dhe i vetmi deri më sot.
Ai e mori menjëherë drejtimin e Hajvalisë, para se të largohej pas vetëm pak muajve në vitin 2015.
Një vit më vonë, më 2016, Munishi u emërua trajner i Dritës, para se të shkarkohej vetëm pas pak muajve në stol. Ai e pati edhe një aventurë të shkurtër disamujore te Vëllaznimi në vitin 2017, ku u shkarkua po ashtu.
Kohë edhe më të shkurtër qëndroi në Feronikel në sezonin 2017/18, ku kishte rezultate të dobëta dhe u shkarkua si pasojë.
Kjo do ta shënonte ulje më të madhe në karrierën e Munishit si trajner, pasi në vitin 2018 ai i udhëhoqi shkurtimisht dy skuadra në Ligën e Parë – kategorinë e dytë të futbollit në vend.
Ai e emërua trajner i Besës së Pejës në Ligën e Parë në vitin 2018, për t’u shkarkuar brenda vitit.
Në të njëjtin vit, Munishi e mori drejtimin e Vëllaznimit për herë të dytë, por këtë herë në Ligën e Parë, para se të largohej në pas pak kohës shkaku i mospajtimeve me drejtuesit.
Viti 2019 shënoi rikthimin e tij të bujshëm në Superligë, ku u emërua trajner i Ballkanit të Suharekës dhe ndërtoi një ekip në gjendje për të luftuar për titull.
Në fakt, falë investimeve të mëdha të pronarit të klubit Arsim Kabashi, Ballkani kishte mbase skuadrën më të mirë në ligë në sezonin 2019/20. Munishi ia doli ta mbajë skuadrën në garë për titull deri në javët e fundit të sezonit, kur e humbi atë përballë Dritës dhe madje përfundoi në vendin e tretë.
Në sezonin pasues, futbolli i Ballkanit nën udhëheqjen vazhdoi të pësoi rënie të madhe dhe Munishi u shkarkua pas gjysmës së parë të sezonit.
Munishi e mori drejtimin e Gjilanit në mars të vitit 2021 dhe pritjet ishin të mëdha se ai do ta udhëhiqte klubin drejt titullit të parë në Superligë, por ai ua largua pas vetëm një viti qëndrimi dhe rezultateve jo bindëse në ndeshjet vendimtare të sezonit.
Tani me Prishtinën mbetet për t'u parë se çfarë objektivash do t'ia caktojnë vetes Munishi dhe sa gjatë do të zgjasë kjo martesë.