Ish-zyrtari i MKRS-së e godet Rahovecin për komunikatën e çuditshme: Pse s'i kërkoni FFK-së t'i plotësojë kushtet? - NACIONALE

Ish-zyrtari i MKRS-së e godet Rahovecin për komunikatën e çuditshme: Pse s'i kërkoni FFK-së t'i plotësojë kushtet?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish zëvendësekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi i ka reaguar klubit të Rahovicit duke thënë se duhet t’i kërkojnë Federatës së Futbollit t’i plotësojë kushtet për licencim.

MKRS ende nuk ka licencuar Federatën e Futbollit pasi kjo e fundit nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet për licencim.

Sidoqoftë, ditën e hënë Rahoveci kërkoi nga MKRS-ja ta licencojë sa më parë FFK-në pasi po i nxjerrë probleme klubit. Kështu, Bislimi ka shkruar se FFK duhet t’i plotësojë kriterët.

“Shiheni këtë mendësi mjerane. Në vend se t'i kërkohet Federatës që të plotësojë kriteret, këta i kërkojnë MKRS-së që të shkelë ligjet. Akti i licencimit ose moslicencimit të FFK-së nuk është çështje e vullnetit të lirë të organit administrativ, o njerëz të mirë. Administrata është përgjegjëse të manifestojë vullnetin në bazë të ligjit, jo të tekeve personale a grupore.

Një institucion as nuk guxon të licencojë dikë në bazë të emrit të përveçshëm e as të mos licencojë dikë po në bazë të emrit të përveçshëm.

Këtu duhet të ketë vetëm një raport: organizata kundrejtë ligjit dhe zbatimit të tij. MKRS është për të zbatuar ligjet. Këtë duhet ta kuptojë secili njeri”, shkroi ai.

Pse s'po licencohet Federata e Futbollit?

Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Sportit vazhdon ta hedhë poshtë kërkesën për licencim të FFK_së shkaku i mangësive dhe dokumenteve të pakompletuara.

Së fundmi, KVLFS-ja ka akuzuar edhe kryetarin e Federatës, Agim Ademi se rrejti nën betim.

Në dokumentacionin e dërguar në MKRS, Ademi kishte deklaruar: “Përmes kësaj deklarate, nën përgjegjësinë para ligjit, deklaroj se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacionin e dorëzuar tek MKRS-ja për licencim nga federata e sportit përkatës, janë plotësisht të sakta dhe të vërtetuara paraprakisht nga zyrtarët përgjegjës të federatës përkatëse”.

Ndërsa, KVLFS-ja i është përgjigjur kështu: “KVLFS konstaton se z. Agim Ademi e ka shkelur edhe deklaratën nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale, dhe në këtë mënyrë është përpjekur që ta vërë në lajthitje Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, veprim ky i dëmshëm në aspektin etik e profesional, por edhe i dënueshëm në aspektin ligjor.”

Kjo është hera e dytë që FFK-ja dështon të licencohet, kryekëput për shkak të Ademit dhe përpjekjeve të tij për ta mbajtur pushtetin në FFK me të gjitha telashet me ligjin dhe më shumë.

Komisioni Vlerësues gjeti sërish shkelje të shumta në kërkesën e FFK-së për t’u licencuar si federatë e futbollit.

Komisioni Vlerësues i ka kërkuar Agim Ademit të japë dorëheqje të menjëhershme ose të shkarkohet nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak se është duke u gjykuar për vepër penale.

Ademi është duke u rigjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

FFK-ja vijon t’i ketë 11 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, pavarësisht se me Statutin e vet i kërkohet t’i ketë 13, një tjetër shkelje për të cilën Komisioni Vlerësues i ka qortuar.

Federata e Futbollit mori vërejtje përsëri për përmbajtjen e Statutit të vet, i cili nuk është ndryshuar apo plotësuar siç duhet.

Komisioni Vlerësues gjeti se asaj i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes të cilat përmbajnë vendime, procesverbale apo kontrata.

Lajme të ngjashme