Ish-presidenti i Federatës spanjolle të futbollit mund të përballet me katër vite burg për ngacmim seksual ndaj futbollistës Hermoso
Një gjykatës ka propozuar një gjyq për ish-presidentin e Federatës së futbollit spanjoll, Luis Rubiales, duke e konsideruar puthjen e tij ndaj yllit spanjoll, Jenni Hermoso si jo-konsensuale, me çka mund të përballet me 4 vite burg.
Akti ndodhi pas fitores së La Roja ndaj Anglisë në finalen e Kupës së Botës më 20 gusht 2023, ku Rubiales e mbajti kokën e Hermosos në të dyja duart dhe e puthi me forcë në buzë. Rrjedhimisht, 46-vjeçari u detyrua të jepte dorëheqjen si president i RFEF-së dhe iu dha një pezullim tre-vjeçar nga FIFA . Tani, Rubiales mund të përballet me akuza penale, pas vendimit të një gjykatësi spanjoll të enjten.
Gjykatësi Francisco de Jorge, nga gjykata e lartë e Spanjës, Audiencia Nacional, tha se puthja "nuk ishte konsensuale dhe ishte një veprim i njëanshëm dhe i papritur" nga Rubiales.
Ai shtoi: "Qëllimi erotik ose joerotik ose gjendja e euforisë dhe agjitacionit të përjetuar si rezultat i triumfit të jashtëzakonshëm sportiv janë elementë, pasojat ligjore dhe pasojat [të përgjithshme] të të cilëve do të duhet të vlerësohen në gjykimin gojor përpara organit përgjegjës, për prokurorinë. Kjo prek sferën e intimitetit të rezervuar për marrëdhëniet seksuale, veçanërisht në kontekstin e dy të rriturve”.

Rubiales nuk është i vetmi person i prekur nga rekomandimi i De Jorge. Ish-trajneri i vajzave të Spanjës, Jorge Vilda, drejtori i ekipit të burrave, Albert Luque dhe shefi i marketingut të RFEF, Ruben Rivera, u propozuan gjithashtu për t'u gjykuar për pretendimin se kanë ushtruar presion ndaj Hermosos. Gjykatësi deklaroi se treshja po vepronte në emër të Rubiales "për të përkulur vullnetin e Jennifer Hermoso Fuentes dhe për ta bërë atë të pranonte të regjistronte një video në të cilën ajo thoshte se puthja ishte konsensuale".

Ligji spanjoll dikton që një puthje jo konsensuale mund të konsiderohet sulm seksual, i cili mund të sjellë një dënim deri në katër vjet burg. Nuk ka një datë të caktuar se kur dhe ku do të zhvillohet gjyqi i Rubiales.