Inzaghi: Ndeshja e kthimit kundër Milanit ndër më të rëndësishmet në historinë e Interit - NACIONALE

Inzaghi: Ndeshja e kthimit kundër Milanit ndër më të rëndësishmet në historinë e Interit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, e ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Milanit, duke pretenduar se ajo do të jetë ndër përballjet më të rëndësishme në historinë e klubit zikaltër.

Interi e ka një epërsi prej 2:0 nga ndeshja e parë, pasi bëri një paraqitje mahnitëse kundër skuadrës së Stefano Piolit të mërkurën e kaluar.

Zikaltrit do të përpiqen ta shfrytëzojnë atë këtë të martë dhe trajneri Inzaghi këmbënguli se e ka përgatitur skuadrën në të njëjtën mënyrë si në ndeshjen e parë.

“Si trajner unë e trajtoj çdo lojë në të njëjtën mënyrë. Ne e dimë se nesër është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e Interit. Ne e dimë se nesër e kemi një epërsi të merituar, por ne nuk duhet thjesht ta menaxhojmë atë, por duhet të luajmë siç luan Interi, duke e ditur se përballë e kemi një ekip të fortë”, tha Inzaghi të hënën në konferencë për media para ndeshjes.

Trajneri italian u pyet nëse e kishte menduar se do të ndodhej buzë finales së Ligës së Kampionëve kur shorti i kishte vënë Interin në një grup me Bayern Munich dhe Barcelonën në gusht.

“Ishim paksa të zhgënjyer kur shorti u hodh në gusht, nuk kishim qenë shumë më fat, por në të njëjtën kohë unë u thashë lojtarëve dhe stafit se as Bayerni e Barça nuk ishin të kënaqur me grupin. Nesër do të jetë një hap i rëndësishëm”, shtoi ai.

Interi do të jetë vendas në përballjen e nesërme mbrëma dhe do ta ketë përkrahjen e tifozëve për ta arritur finalen e parë që prej vitit 2010 në garën më prestigjioze evropiane për klube.

Lajme të ngjashme