Inzaghi: Interi i gatshëm për shortin e vështirë të Ligës së Kampionëve
Trajneri Interit, Simone Inzaghi, ndjen se skuadra e tij deri më tani është ‘stërvitur mirë’ në Ligën e Kampionëve ku ka pasur përballë skuadra shumë të forta dhe tani janë të gatshëm për kundërshtarët potencial në raundin e 16 më të mirave, duke përfshirë Tottenhamin e Antonio Contes.
Zikaltrit e dinin se rezultati kundër Bayern Munich ishte i parëndësishëm, pasi tashmë ata ishin të garantuar në vendin e dytë pas gjermanëve, pavarësisht se çfarë ndodhi në Allianz Arena.
Lautaro Martinez humbi një rast të hershëm dhe një penallti e kërkuar nuk u dha sepse Sadio Mané në momentin e goditjes së topit nga Nicolò Barella e ndali me duar që topi mos ta godiste në fytyrë, prandaj gjyqtari edhe pas konsultimit me VAR vendosi që loja të vazhdonte.
Benjamin Pavard shënoi një gol me kokë pas një rivënie këndore dhe Eric Maxim Choupo-Moting realizoi me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm për rezultatin 2-0, që do të thotë se Bayern përfundon një fazë të përsosur grupore me gjashtë fitore nga gjashtë( e vetmja në këtë sezon të kësaj gare).

“Bayerni është një ekip me cilësi të jashtëzakonshme, por Interi kishte një qasje të mirë në fillim, ne patëm atë shansin e Lautaros dhe penalltinë e mohuar, kështu që nëse do të kishim shënuar të parët do të ishte ndryshe, por humbëm ndaj një kundërshtari cilësor”, tha Inzaghi. Sky Sport Italia.
Disa nga skuadrat e mundshme që mund të përballet Interi janë Chelsea, Manchester City, FC Porto dhe Tottenham Hotspur i Contes, të cilët fituan grupin e tyre me një gol në minutat e fundit ndaj Marseilles.

“Ne u ‘stërvitëm mirë’ në këtë grup kundër Bayern Munich dhe Barcelonës, kështu që kemi parë disa nga kundërshtarët më të mëdhenj tashmë. Ne luftuam shumë për këtë kualifikim dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në shkurt për të shijuar turneun, por tani për tani duhet të fokusohemi në Serie A.
Po dalim nga katër fitore radhazi, por kemi humbur shumë pikë herët, e dimë që lista e ndeshjeve nuk është e lehtë për ne deri në pushim, por duhet të përpiqemi të bëjmë maksimumin”.

Për shkak se kjo lojë ishte e parëndësishme, Inzaghi bëri ndryshime në skuadër duke dhënë minuta për disa nga lojtarët që nuk kanë luajtur edhe aq shumë si: Kristjan Asllani, Robin Gosens dhe Raoul Bellanova.
“Të gjithë patën një lojë të shkëlqyer, përfshirë Matteo Darmian i cili ishte në një mbrojtje me tre lojtarë, gjithashtu Asllani, Gosens, Bellanova bënë mirë edhe kundër një kundërshtari të ashpër si Alphonso Davies”, tha trajneri italian për fund.

