Intervistë | De Biasi: Shqipëria tani ka diçka më shumë, por ne ishim ekip i vërtetë që besuam në ëndrrën tonë - NACIONALE

Intervistë | De Biasi: Shqipëria tani ka diçka më shumë, por ne ishim ekip i vërtetë që besuam në ëndrrën tonë

4 javë më parë

nga Edonis Bytyqi

Ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi, thotë se tani kuqezinjtë janë skuadër më e mirë se ajo që dikur udhëhiqte ai, por jo edhe më e bashkuar se ajo.

Shqipëria nën urdhrat e teknikut italian në vitin 2016 e përmbushi ëndrrën e të gjithëve, duke siguruar pjesëmarrjen në Kampionat Evropian 2016.

Që të jemi më të saktë, më 11 tetor të vitit 2015, Shqipëria shënoi fitore 0:3 ndaj Armenisë, duke "prerë" biletën për në Kampionatin Evropian "Euro 2016", që më pas u zhvillua në Francë.

Një autogol i Hoynasian (9') dhe nga një gol i Berat Gjimshtit (23') dhe Armando Sadikut (76') patën gëzuar të gjithë shqiptarët në tërë globin.

Lidhur me atë sukses të jashtëzakonshëm e punën e madhe, ekskluzivisht për gazetën Nacionale ka folur vetë tekniku italian Gianni de Biasi. Ai fillimisht zbuloi punën e vështirë pasi nuk i njihte lojtarët, mirëpo pas dy viteve situata filloi të rregullohet.

Ishte punë shumë e vështirë duke nisur se kisha një numër lojtarësh të panjohur, duke punuar shumë që të kërkojmë lojtarë shqiptarë në tërë Evropën, besoj që pas dy viteve që kishim kohën për t’u njohur, kishim ngritur kualitetin e lojtarëve dhe kishim arritur një qëllim që vetëm disa mendonim se ishte e mundur”.

De Biasi shton se krenaria e përkatësisë pastaj ndihmoi tek të gjithë, pasi u transmetua jo vetëm te popullata e Shqipërisë, por edhe te e Kosovës dhe tek te gjithë shqiptarët nëpër botë.

Ishte një periudhë e bukur ku doli krenaria e përkatësisë, dëshira për të qenë protagonistë dhe e gjithë kjo u transmetua edhe te popullata jo vetëm e Shqipërisë por edhe e Kosovës dhe krahinave të tjera shqiptare”, tregon fillimisht De Biasi.

Mirëpo, për “fatin e Shqipërisë”, në shortin e hedhur rezultoi të jetë në grupin I, me kombëtare si Portugalia, Danimarka, Armenia dhe Serbia.

Duke ditur situatën e tensionuar mes dy shteteve, FIFA nuk ndërmori asnjë hap duke lejuar të dy ndeshjet të zhvilloheshin.

Më 14 tetor 2014, Shqipëria zhvilloi sfidën e parë ndaj Serbisë midis Beogradi, ku rezultati ishte 0:0 deri deri në minutën e 43-të, ku pastaj të gjithë serbët u heshtën kur midis stadiumi fluturonte një dron me mesazhin "Autochthonous", flamurin e Shqipërisë dhe fotografitë e Ismajl Qemajlit dhe Isa Boletinit.

E siç e dini të gjithë, pastaj nisën problemet ku tifozët hynë në fushë duke sulmuar lojtarët tanë, por që në fund FIFA vendosi për fitoren e Shqipërisë me rezultat 0:3.

I pyetur se çfarë kujton nga kjo ndeshje dhe dronin, De Biasi hezitoi të flasë për dronin, mirëpo deklaron se kishte mbetur i befasuar si e lejoi FIFA këtë short dhe pastaj pasojat u panë në fushë.

Ishte ndeshje shumë e vështirë edhe para se të luanim në të gjitha aspektet, ju tashmë e dini. Isha i mahnitur si ky short ishte i mundur. Pasojat duhet të shihen më pas në fushë dhe në tribuna”.

Pas pesë viteve e gjysmë në stolin e Shqipërisë, tekniku italian më 14 qershor 2017 dha dorëheqje. Mirëpo, 66-vjeçari ka konfirmuar se vazhdoi t'i ndjek ndeshjet e tyre, pasi "një pjesë e imja ka mbetur aty".

De Biasi e vlerësoi ekipin momental të Shqipërisë si një grup lojtarësh me përvojë të shkëlqyer, që luajnë në ligat më të rëndësishme të Evropës.

Kur nuk kishin vazhdimësinë e ndeshjeve të mira me kombëtaren, e kam ndjekur gjithmonë ekipin sepse një pjesë e imja mbeti aty. Mendoj se është një grup lojtarësh cilësorë/ të shkëlqyer me përvojë në fushën ndërkombëtare, me lojtarë që luajnë të tjerët në Seria A dhe në ligat më të rëndësishme evropiane”.

Italiani gjithashtu bëri edhe një lloj krahasimi mes kësaj Shqipërie dhe asaj që u kualifikua në Evropian. Sipas tij, kjo skuadër ka diçka më shumë, mirëpo e kaluara ishte një ekip i bashkuar që besonin në ëndrrën e tyre.

Mendoj se nga pikëpamja cilësore është një skuadër që ka diçka më shumë se ajo që shkoi në kampionatin evropian, që kishim ne. Një kompaktësi e madhe, ne ishim një ekip në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe kjo mendoj se bëri një ndryshim. Ne besuam në "ëndrrën tonë".

Në fund, De Biasi nuk i mohoi negociatat me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) duke u shprehur se ka respekt të përbashkët me kryetarin Agim Ademi.

Edhe nëse ka pasur kontakte, nuk ka kuptim që të flasim lidhur me to. Kam lidhje të shkëlqyer me presidentin e Federatës, Ademi. E kam takuar gjithashtu para disa muajve në Tiranë për zgjedhjet e FSHF-së. Ka respekt të përbashkët mes nesh”, përfundoi ai për Nacionalen.

Pas largimit nga Shqipëria, De Biasi qëndroi për disa muaj si trajner i Deportivo Alavesit nga Spanja, duke zhvilluar vetëm tetë ndeshje me një rekord tre fitore dhe pesë humbje.

Pas Alavesit, ai mori drejtimin e Azerbajxhanit të cilët i ka drejtuar në 26 ndeshje (3 fitore, 7 barazime dhe 16 humbje).

Lajme të ngjashme