Interi "fik" Milanin edhe një herë tjetër, triumfon në derbin e qytetit - NACIONALE

Interi "fik" Milanin edhe një herë tjetër, triumfon në derbin e qytetit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Interi ka arritur të ngadhënjejë në derbin e qytetit, duke mposhtur 1:0 Milanin. Skuadra “Zikaltër” me meritë korri fitore, pasi ishte më mbizotëruese në lojë. Milani çdoherë e më në krizë.

Milano është “Zikaltër” këtë mbrëmje. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi arriti të ishte më superiore sesa rivali lokal Milan.

Prej fillimit të ndeshjes Inter tregoi një qasje më kërkuese në lojë, duke sulmuar me të gjitha forcat në sulm. Milani u tërhoq në gjysmëfushën e saj, me një rreshtim më ndryshe se zakonisht.

Gjithsesi, sulmet e pareshtura të Interit u konkretizuan me gol pas disa minutash lojë. Konkretisht në minutën e 34-të ishte ish-mesfushori i Milanit, Calhanoglu, ai që ekzekutoi për mrekulli këndoren. Me kokë në brendi të zonës u shkëput mjaft bukur Lautaro Martinez, duke ngulitur topin në rrjetë për 1:0.

Në minutat në vijim skuadra “Zikaltër” vazhdoi të ishte më mbizotëruese në lojë, duke u përpjekur me të gjitha mënyrat që ta shënonte edhe një gol të dytë.

As pjesa e dytë nuk i dha Milanit ndonjë shtysë për t’u rikthyer njëmend në lojë. Aksione të ngadalta, shumë lehtë të lexueshme dhe pa presionin e dikurshëm – ndikuan që Interi ta kishte jo të vështirë menaxhimin e epërsisë.

Kësisoj, Interi regjistroi edhe një tjetër fitore në kampionat. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi dhe e dyta në derbin e qytetit, pasi për herën e fundit kishte triumfuar në Superkupën e Italisë javë më parë.

Ndërkaq Milani regjistroi humbjen e tretë rresht dhe njëherësh rezultatin e pestë negativ në Serie A. Fitorja e fundit në Serie A për kampionët në fuqi është para një muaji, respektivisht më 4 janar kundër Salernitanas.

Inter zë pozitën e dytë me 43 pikë, kurse Milani po vazhdon të rrëshqasë akoma më poshtë në renditjen tabelore. Me 38 pikë të arkëtuara “Kuqezinjtë” zënë pozitën e gjashtë.

Përmbledhja e ndeshjes Inter - Milan:

Lajme të ngjashme