Interi e mposht Torinon me rezultat komod, e rrëmben pozitën e parë në Serie A
Inter ka fituar me rezultat komod 3:0 Torinon, për t’u kthyer te fitoret dhe kështu për të rrëmbyer vendin e parë në Serie A, ndonëse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht.
Zikaltrit humbën pozitën e liderit në xhiron e kaluar, para ndeshjeve ndërkombëtare, kur barazuan me Bolognan 2:2, ndonëse kishin qenë në epërsi prej dy golave fillimisht.
Sot në udhëtim te Torino, ata nuk i lanë asgjë rastit, për të marrë tre pikët, shumë të vlefshme për vazhdueshmërinë e kampionatit.
Vendasit ishin paksa më të mirë në pjesën e parë, kur bëhet fjalë për rastet e rrezikshme dhe vetëm një intervenim i Yann Sommer, shpëtoi zikaltrit nga një disavantazh i hershëm.
45 minutat e para u mbyllën me barazim pa gola, ndërsa në pjesën e dytë Interi gjeti golin tre herë.
Zhvillohej minuta e 59-të kur Denzel Dumfries e shërbeu Marcus Thuram, i cili shënoi për 1:0.
Zikaltrit e dyfishuan epërsinë në minutën e 67-të, me Lautaro Martinez që shënoi gol me kokë pas asistimit të Francesco Acerbit.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar u kujdes Hakan Calhanoglu në minutat shtesë, kur konvertoi një penallti në gol, për 3:0.
Interi me këtë fitore kryeson Serie A-në me 22 pikë me nëntë ndeshje të zhvilluara, ndërsa Torino gjendet në vendin e 14-të me nëntë pikë në po aq ndeshje.