Inter fiton Kupën e Italisë, triumfon me përmbysje ndaj Fiorentinas
Inter ka arritur ta fitojë Kupën e Italisë, duke mposhtur në finale Fiorentinan në kuadër të edicionit 2022/23.
"Neurazzurët" fituan me përmbysje nga 1:0 në 1:2 për t'u shpallur kampion i Kupës më të rëndësishme në Itali.
Nico Gonzalez me një gol të bukur nga afërsia kaloi Fiorentinan në epërsi pas vetëm tre minutave lojë, duke shtangur të gjithë në stadium.
Por, pas kësaj Interi mori në "dorë" tërë ndeshjen duke nisur të krijojë më shumë aksione dhe mbajtur posedimin.
Ishte Lautaro Martinez që pas një asistimi perfekt të Marcelo Brozovicit për të barazuar rezultatin (29').
Argjentinasi s'u ndal më kaq duke shënuar një gol të mrekullueshëm vollej pas një harkimi të Nicolo Barellas (37').
Inter ishte skuadër më e mirë edhe në pjesën e dytë, duke pasur një rast të artë me anë të Romelu Lukakut por belgu dështoi nga afërsia.
Fiorentina në fakt arriti ta gjejë golin me anë të Arthur Cabral, mirëpo arbitri e anuloi për pozitë jashtë loje.
Inter do të provojë ta fitojë edhe trofeun e dytë muajin e ardhshëm, pasi do të përballet me Manchester Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve.
Përndryshe, skuadra italiane tani do të jetë e fokusuar që ta sigurojë top katërshen në Serie A.