Ilir Daja: Nuk kemi ardhur në Kazakistan të dorëzuar, kërkojmë maksimumin
Trajneri shqiptar i Ballkanit, Ilir Daja, në konferencën për shtyp sot, është shprehur optimist para ndeshjes në grupe të Ligës së Konferencës, që zhvillohet nesër ndaj Astanës në Kazakistan, duke thënë se nuk kanë udhëtuar për t’u dorëzuar dhe se presin rezultat të mirë nga ndeshja.
I vetëdijshëm që e pret një punë e vështirë, sidomos pas një humbje në Fadil Vokrri më 26 tetor me rezultat 2:1, Daja insistoi se skuadra e tij do të japë më të mirën nga vetja, për të dalur me kokën lartë nga Astan Arena.

“Nëse bëjmë krahasime, Astana ka eksperiencë më të madhe në garat evropiane, pasi kanë zhvilluar më shumë ndeshje se ne. Ne jemi këtu vetëm për herë të dytë, pra në grupet e kësaj gare evropiane. Skuadra vendase ka përparësinë e klimës dhe mbështetjen e klubit. Presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej të gjitha vështirësive, ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje, për të marrë rezultat të mirë.”
I pyetur se si janë shanset për nesër, Daja tha se futbolli është sport dhe jo shkencë ekzakte, por që shtoi se skuadrën e përgatit vetëm për fitore, jo edhe për humbje.

“Na pëlqen të jemi fitues, por e dijmë se na pret ndeshje e vështirë. Astana ka ekip të mirë, si taktik ashtu edhe teknik. Nuk mund të jap përqindje për shanset, sepse futbolli është sport dhe jo shkencë ekzakte, por unë e përgatis ekipin për të fituar ndeshjet.”
Përballja mes Astanës dhe Ballkanit nesër, zhvillohet me fillim nga ora 16:30, e cila është xhiroja e katërt në grupe.
Dy herë Kampioni i Kosovës është në vendin e tretë me tre pikë, aq sa kanë edhe Dinamo Zagreb dhe Astana, ndërsa Viktoria Plzen është në krye të grupit me të gjitha fitore.