Ilir Daja: Na pret ndeshje shumë e fortë në Zagreb, duam fitore - NACIONALE

Ilir Daja: Na pret ndeshje shumë e fortë në Zagreb, duam fitore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Ballkanit Ilir Daja thotë se i pret një përballje shumë e fortë ndaj Dinamo Zagreb, ku kërkohet vetëm fitorja.

Kampioni i Kosovës ende mund të avancojë tutje, megjithatë duhet t’i arkëtojë pikët e plota në Kroaci dhe të shpresojë që Plzeni e mposht Astanan.

Para ndeshjes në konferencë për shtyp, Daja tha se duan vetëm fitore ani pse është shumë vështirë ndaj Dinamos.

“Kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë”.

“Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore”.

“Por, ne do të përdorim të gjitha forcat tona për të bërë një paraqitje të mirë në Zagreb dhe për të fituar”.

“Sigurisht që këtu do të jetë më e vështirë për ne ashtu siç ishte për Dinamon në Prishtinë. Kur luan në një stadium pritës, favorit gjithmonë është pritësi. Favorit është Dinamo për vetë emrin që ka si një ekip shumë i madh në rajon. Na pret një transfertë e vështirë, por që nuk do të futemi të dorëzuar, kjo është më se e sigurt”.

Kujtojmë, përballja zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45.

Lajme të ngjashme