I digjet banesa taksistit kosovar që ia gjeti dokumentet portierit Neuer
Hazir Stublla që u bë i njohur për gjetjen e portofolit të portierit të Bayern Munichut, Manuel Neuer, dhe ia ktheu atij te shtëpia, tani sipas medium gjerman BILD, shtëpia e tij u dogj teksa ai po bënte pushimet në Kosovë.
Sipas BILD, ngjarja ndodhi në natën e Vitit të ri, kur një mjet piroteknik kishte rënë mbi shtëpinë e Stubllës në Carl-Orff-Bogen, për të shkaktuar dëme tejet të mëdha materiale.
Për djegien e shtëpisë, 49-vjeçari u njoftua vetëm nga fqinjët e tij kur pranoi video të banesës së tij tashmë të dëmtuar, pasi ai po qëndronte për pushime në vendin e tij të lindjes, në Kosovë.
Stublla që është taksist në Gjermani dhe jeton me gruan e katër fëmijët e tij, tani mund të jetë në rrugë dhe në nerva e sipër për BILD ai ka thënë: “Sapo kisha investuar 20 mijë euro në kuzhinën e re”.
Ai u bë i njohur për mbarë vendin si taksisti që i çoi Neuerit portofolin e tij të gjetur në shtëpi me 800 euro brenda me kartat e kreditit e ID-në, duke bërë 120 kilometra rrugë më shumë.
Për këtë ai u falënderua nga portieri gjerman, i cili ia dhuroi një fanellë si shenjë mirënjohjeje, legjenda gjermane Lothar Matthaus ndërhyri për ta shpërblyer Stubllën me 1000 euro për gjestin e bërë.
Nga policia kanë konfirmuar se po hetojnë rastin dhe se kanë dëshmi se raketa u lëshua nga një banesë përballë.
“Ne po hetojmë gjithashtu zjarrvënien. Kishte dëshmi të dëshmitarëve se raketa thuhej se ishte lëshuar nga ndërtesa përballë.”

Por ku do të jetojë Stublla me familjen e tij të madhe tani?
Një punonjës i shoqatës komunale të banesave tha: "Jemi në bisedime që t’i ofrojmë një apartament alternativ."
Ndërsa vetë Stuballa tregoi se për momentin janë duke qëndruar te miqtë e tyre dhe se familja e tij mund të përdorë mbështetjen shtetërore.
Stulla: “Për momentin po qëndrojmë me miqtë. Familja ime mund të përdorë çdo mbështetje gjatë kësaj kohe të vështirë.”

