Hysaj e Broja më të dobëtit në humbjen e Shqipërisë nga Izraeli
Shqipëria pësoi disfatë nga Izraeli me rezultat 2-1, të shtunën mbrëma, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Me këtë disfatë, Shqipëria matematikisht humbi gjasat për një plasman në pozitën e parë të grupit.
Dhe, pas ndeshjes, siç ndodh gjithmonë, 'SofaScore' doli me vlerësimet e futbollistëve.
Sipas uebsajtit, Myrto Uzuni ishte më i miri te kuqezinjtë, derisa mori notën 7.4, edhe pse u inkuadrua nga banka rezervë.
Në anën tjetër, Elseid Hysaj mori vlerësimin më të ulët (6.3), i përcjellur nga sulmuesi i Chelseat, Armando Broja (6.4).
Raporti i ndeshjes Izrael 2:1 Shqipëri
Pjesa e parë u koncentrua në kundërsulme nga të dy anët. Shqipëria përmes teknikës dhe përgatitjes fizike të Armando Brojës, e vuri në vështirësi Izraelin në disa raste.
Kështu ndodhi edhe në minutën e 8-të, kur sulmuesi i Chelseat nuk ia doli të ishte klinik para portës.
Në minutat në vijim izraelitët për një nuancë qarkulluan më shumë topin, por sërish ekipi kombëtar “kuqezi” ishte ai që me dalje të shpejta shfaqej i rrezikshëm.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, sërish në skenë doli Broja, ku bëri gjithçka mirë, përveç goditjes. Ai iu shmang mirë mbulimit të mbrojtjes, por goditja e tij në brendi të portës ishte e plogësht..
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin baras 0:0.
Vetëm 40 sekonda iu deshën Izraelit në pjesën e dytë për ta shënuar golin e epërsisë kundër Shqipërisë.
Ky gol erdhi pas një gabimit të Hysajt, i cili ra nga loja. Një harkim tokazi bëri që Weissman të shënonte nga afërsia.
Në minutat në vijim ra tempo i lojës dhe u duk që gjithçka po shkonte drejt një ruajtje të atij rezultati. Mirëpo kështu nuk ndodhi, sepse inkuadrimi në lojë i Myrto Uzunit në fushë të ndeshjes, i dha Shqipërisë një ndihmë të madhe në aksionet e veta sulmuese.
Kësisoj, sulmuesi shqiptar ia doli që ta realizojë një gol të bukur në minutën e 88-të, duke barazuar rezultatit në 1:1.
Në vazhdim u akorduan gjashtë mintua shtesë nga arbitri i ndeshjes dhe Shqipëria ishte edhe në një epërsi psikologjike, ngase bëri dy dalje të mira në sulm, ku mungonte pasimi final.
Megjithatë, sërish fatale për ekipin shqiptar doli të ishte një gabim foshnjarak në mbrojtje. Kësaj radhe ishte Mihaj që zëvendësoi Ajetin ai që gaboi rëndë në minutën e 92-të, duke mos larguar topin siç duhej. I ndodhur fare pranë portës Baribo nuk gaboi për t’ia dhënë epërsinë nikoqirëve.
Kështu edhe mbaroi ndeshja, me Izraelin që iu gëzua fitores. Shqipëria edhe duke qenë e fundit në grup nuk do të bie në një ligë më poshtë, por kjo vetëm falë pezullimit të Rusisë nga garat evropiane, sepse në të kundërtën do të rrezikonte shumë.
Shqipëria ka vetëm një pikë deri më tani në grup. Shumë pak dhe jashtë çdo projeksioni, aq më shumë nëse kemi parasysh pritshmëritë që ishin krijuar nga FSHF dhe opinioni shqiptar.

Gjithsesi, ekipi i Edy Reya do të rikthehet në fushë të martën si vendëse kundër Islandës, që do të jetë edhe sfida e fundit që do ta luajë në Ligën e Kombeve për këtë vit.
Mbetet akoma e paqartë se çfarë do të ndodhë me Edy Reyan. Zërat kritikë ndaj tij janë shtuar çdo ditë e më shumë. Tani është në diskrecion të kryetarit të FSHF-së, Armando Duka, që të vendosë për të ardhmen e tij pas kësaj fushate kualifikuese.
