Hidhet shorti për sezonin e ri të Superligës, Ballkani e fillon mbrojtjen e titullit ndaj Dukagjinit
Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës sot është bërë tërheqja e shortit për sezonin e ri të Superligës së Kosovës, ku kampioni në fuqi, Ballkani, e fillon mbrojtjen e titullit duke u përballur me Dukagjinin.
Në prani të Komisionit të Garave dhe përfaqësuesve të klubeve u mësuan përballjet për sezonin 2024/25.

Pas shortit të tërhequr, u mësua se në javën e parë do të përballen këto skuadra:
Prishtina - Suhareka; Drita - Malisheva; Ferizaj - Feronikeli; Llapi - Gjilani dhe Ballkani - Dukagjini.
Kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, pas hedhjes së shortit, uroi skuadrat për një organizim sa më të mirë dhe mbarvajtje të duhur të garave në sezonin e ri.

Kampionati i Kosovës i fituar tri vite me radhë nga Ballkani, fillon më 10 gusht (e shtunë).