Hazardi e pranon: Nuk flas me trajnerin Ancelotti
Eden Hazard e ka pranuar se i ka prishur plotësisht marrëdhëniet me trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, duke thënë “ne nuk flasim njëri me tjetrin”.
Sulmuesi belg ka vuajtur nga forma e dobët dhe telashet fizike gjatë katër viteve në Madrid.
Hazardi ka dështuar ta arsyetojë çmimin e lartë prej 100 milionë eurove që klubi e pagoi për ta marrë atë nga Chelsea në vitin 2019.
Që prej pushimit dimëror, Hazardi nuk ka luajtur asnjë minutë për kampionin e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, edhe pse ka qenë në dispozicion të Ancelottit.
Por duket se trajneri italian ka hequr dorë nga ai plotësisht, pasi belgu e pranoi se nuk flasin mes vete.

“Respekti mes meje dhe Ancelottit ekziston. Por nuk do të them se ne flasim, sepse ne nuk flasim njëri me tjetrin”, tha Hazardi për RTBF.
“Por respekt do të kem gjithmonë. Më duhet ta respektoj një njeri si Ancelotti. Për atë si e përfaqëson futbollin ai dhe për atë që e ka arritur në karrierë”, shtoi ai.
Marrëveshja e Hazardit me Madridin mbaron në verën e vitit 2024, dhe pavarësisht thashethemeve se mund të largohet në fund të këtij sezoni, 32-vjeçari thotë se dëshiron të qëndrojë.
“Do të doja të qëndroj. Gjithmonë e kam thënë këtë. Shpresoj të luaj dhe të tregoj se ende mund ta bëj. Njerëzit kanë dyshime, është normale. E kuptoj. Por për mua, unë do të jem këtu vitin e ardhshëm. Nuk di dihet kurrë, por nuk e kam në plan largimin”, këmbënguli ai.
