Haxhi Krasniqi pas humbjes së Boesel mbrëmë: Ai shkoi për të bërë para, jo për të fituar - NACIONALE

Haxhi Krasniqi pas humbjes së Boesel mbrëmë: Ai shkoi për të bërë para, jo për të fituar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Robin Haxhi Krasniqi duket se ende nuk është pajtuar me disfatën nga gjermani Dominic Boesel në tetor të vitit të kaluar.

Boesel kishte rikthyer titullin e peshave të lehta në IBO me një vendim të ngushtë në 'Getec Arena', saktësisht më 9 tetor 2021, kundër Haxhi Krasniqit.

Gjyqtarët ndanë pikët 116-12 për Boesel dhe 115-114 në të dy anët. Krasniqi e filloi shpejt meçin, me gjasë më shpejt se sa kërkohej, dhe derisa luftoi shumë, shpenzoi energji të tepërt dhe nga rundi i pestë filloi të ngadalësonte.

Boesel, në anën tjetër, vazhdoi të mbante qetësinë, sulmonte kur duhej dhe mbrohej kur i kërkohej. Vonë, gjatë meçit, pati disa shkëmbime të nxehta, me Krasniqin që mundohej të sulmonte e të tërhiqej por shpesh duhej ta ruante veten për t'i evituar sulmet e kundërshtarit.

Boesel kaloi në epërsi përgjatë rundeve 9-11, por Krasniqi u mundua shumë në rundin e fundit për të rikthyer gjërat në favorin e vet, megjithatë, këto tentativa dolën të jenë të vonshme.

Kur Krasniqi kishte mundur Boesel në përballjen e parë, shqiptari kishte treguar vendosmëri më të madhe.

Pas verdiktit, zhgënjimi ishte i qartë te kosovari që mbron ngjyrat e Gjermanisë, derisa ai nuk e pranoi asnjëherë këtë disfatë.

Gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ai u ankua në Federatën e Boksit, me theks të veçantë te "padrejtësia" që iu bë në përballjen kundër Boesel.

Ky i fundit tashmë ishte kampion bote, ndërsa Krasniqi kishte humbur titujt IBO dhe WBA.

“Krahas gjyqtarëve jashtë ringut, të cilët janë përgjegjës për rezultatin skandaloz kishim të bëjmë edhe me një gjyqtar të papërgjegjshëm brenda ringut, i cili i lejoj dhjetëra goditje ilegale të kundërshtarit (goditje mbas koke e goditje me brryl) dhe nuk e dënoj atë me asnjë pike”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, kishte shkruar Krasniqi atë botë.

Sidoqoftë, IBO i ishte kundërpërgjigjur ashpër ankesave të Krasniqit, duke potencuar me anë të një komunikate:

“IBO refuzon protestën e Krasniqit - Bösel mbetet kampion bote.

“Pas 12 raundeve të vështira dhe të ngushta, arbitri ngriti dorën e Dominic Bösel, duke e bërë atë kampion të ri të IBO-së.

"Presidenti i IBO Ed Levine refuzon protestën e avokatit të Krasniqit".

Ecim tutje në maj të vitit 2022... Boesel u mposht mbrëmë nga Gilberto 'Zurdo' Ramirez, i cili tash mban dy titujt, të cilët Krasniqi mendon se iu 'vodhën'.

Ramirez nokautoi Boesel në rundin e katërt për të fituar meçin në 'Toyota Arena' të Kalifornisë.

Pavarësisht dallimit në gjatësi mes boksierëve, edhe dallimi në kualitet ishte masiv. Meçi filloi sikletshëm për Boesel, i cili menjëherë filloi të ankohej në dhimbje në bërryl.

Gjyqtari Thomas Taylor këshilloi gjermanin që ta mbronte veten, derisa aksioni rifilloi pas pak momentesh. Ramirez kontrolloi gjithçka dhe eventualisht bëri atë që dukej e paevitueshme.

E pas kësaj disfate të Boesel (bilanci 33 fitore, 3 humbje), Robin Krasniqi shfrytëzoi rastin duke reaguar me një status në Facebook, ku edhe njëherë hodhi në pikëpyetje aftësitë e ish-rivalit në ring, teksa shkroi:

"Fituesit nuk duken si Dominic Boesel këtu! Mirëpo, ky është sonte padrejtësisht në ring në SHBA. Fluturoi atje për të fituar para, por jo për t'u bërë kampion bote, sepse nuk mundi të qëndronte kampion bote në Gjermani dhe nuk do të qëndrojë as në Amerikë. Përveç nëse ai mund të hyjë në ring i dopuar (me doping) plotësisht në Amerikë, gjë që me shumë mundësi e bëri në Gjermani edhe kundër meje dhe Thomas Pütz dhe shërbëtorët e tij janë gjithashtu aktivë atje".

Kujtojmë se Robin Krasniqi ka një bilanc 51-7 si boksier profesionist.

Lajme të ngjashme