Hakimi: Messit i besoj edhe kur s’ma pason topin
Achraf Hakimi e ka pranuar se nuk i takon t’i vërë në pikëpyetje vendimet e Lionel Messit në fushë, në një kohë kur lojtarët e Paris Saint-Germainit po kritikohen për një mungesë të dukshme të punës ekipore.
Sulmuesit e PSG-së, në veçanti Kylian Mbappe, janë kritikuar se nuk janë të bashkuar, megjithëse në intervistat e tyre të gjithë kanë këmbëngulur se çdo vendim në fushë e marrin në të mirë të ekipit.
Hakimi këmbënguli se nuk i mbetet hatri nëse Messi vendos t’ia pasojë topin dikujt tjetër edhe nëse ai e kërkon atë kur është i lirë.
“Kur unë e kërkoj topin dhe Leo (Lionel Messi) nuk ma jep, e bën sepse ai e ka parë një lojtar tjetër të cilit mund t’ia pasojë atë”, tha Hakimi pas fitores së PSG-së 1:0 kundër Brestit.
“Nuk është problem për mua. Në këtë mënyrë ai sot e bëri pasimin te Neymari dhe ne i fituam tri pikë”.
Pasimi për të cilin Hakimi po fliste ishte ai që ia fitoi PSG-së ndeshjen kundër Brestit.
Messi’s assist to Neymar 🤤 pic.twitter.com/KRe7oLlpWj
— Ziad is NOT in pain (@Ziad_EJ) September 10, 2022
Pas gjysmë ore lojë, Messi e gjeti Neymarin në zonë dhe braziliani nuk gaboi duke shënuar për triumfin e kampionit francez.
Ky ishte goli i tetë në shtatë ndeshje i Neymarit deri tani këtë sezon, që e bën atë lider në listën e golashënuesve në Francë dhe në tërë Evropën.
PSG-ja është e pamposhtur këtë sezon, duke i fituar gjashtë prej shtatë ndeshjeve në Ligue 1 dhe kampioni në fuqi është lider me 19 pikë, aq sa ka edhe Marseille në vendin e dytë.
Ndërkohë, ky ishte asisti i shtatë i Lionel Messit në po aq ndeshje në ligë deri tani, që flet për kontributin e madh të argjentinasit për shokët e skuadrës së tij.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë i ka edhe tri gola në ligë këtë sezon po ashtu.
