Govori flet pasi 'u kap për fyti' nga Agim Ademi, përplaset para kamerave me kryetarin e 'Dardaneve' - NACIONALE

Govori flet pasi 'u kap për fyti' nga Agim Ademi, përplaset para kamerave me kryetarin e 'Dardaneve'

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të mërkurën, në mesditë, u raportua se presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sulmoi fizikisht një zyrtar të po këtij institucioni.

Rasti u konfirmua për Nacionale edhe nga Policia e Kosovës, me zëdhënësen, Flora Ahmeti, që u shpreh për Redaksinë:

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, tha Ahmeti për gazetën.

Nacionale zbuloi tutje se personi që u sulmua nga i pari i FFK-së ishte Artan Govori, pas një fjalosjeje në lidhje me përkrahjen e tij ndaj Gramoz Vokrrit, kundërkandidati i vetëm deri tash i Ademit për zgjedhjet e prillit.

Dhe, së fundmi, Govori ka folur para medieve, në oborrin e ndërtesës së FFK-së, por - paraprakisht - u konfrontua nga kryetari i "Dardanëve", Lulzim Berisha, i cili iu drejtua me "pse po rren kështu more Artan," koment ndaj të cilit Govori u përgjigj me "kush po rren?" Berisha pastaj u ndal, derisa kamerat ishin duke filmuar, duke i thënë:

"Mos i rrej opinionin o burrë, se qaty kesh une. Mos i rrej, ki pak dinjitet, se t'kom shok."

Govori pastaj u përgjigj me: "Une me pasë dinjitet a, dosti yt le t'ka dinjitet," qartazi duke iu referuar Ademit.

Berisha kundërpërgjigjet me: "Nuk e kom dost une, po osht kryetar i Federatës," koment ndaj të cilit Govori shtoi "i joti po, i jemi s'është."

Tutje, Govori vazhdoi duke dhënë deklaratën e plotë për medie, teksa tha:

"Është e vërtetë që s'ka pasë rrahje, debati s'ka pasë lidhje me punë. Ka pasë lidhje me shantazhe të llojit të Agim Ademit që i bën tash e sa kohë. Të fotografojnë, të përcjellin njerëzit. Të çon fotografi, të sheh dikun, 'pse po rrin me ata, pse po rrin me këta,' thuti që une... këto vjet i kom bo, ai duhet me më tregu me kon me nejtë. Pse bohet ajo, është mirë këtë pyetje m'ja drejtu Agim Ademit, pse ai menon me na caktu neve me kon me nejtë."

I pyetur nga një gazetar, "a jeni kapë për fyti," Govori potencoi: "Ai mu më ka kapë, unë ss... unë jam tip i qetë, sidomos në institucion. Dje më ka fotografu dikush prej këtyre, më falni në shprehje, 'llaskucave' të Agim Ademit, t'u nejtë me dikon që nuk i pëlqen atij."

Më tej, ai elaboroi rreth një lëndimi në qafë dhe një gërrithje në fytyrë që i ka shkaktuar Ademi, pas kacafytjes, duke thënë se numri 1 i FFK-së bën presione të tilla sepse mendon se "po i qesim informatat prej Federatës."

Në mesin e dëshmitarëve që panë incidentin, sipas Govorit, ishin kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani dhe nënkryetari, Agim Dibrani dhe kryetari i tifogrupit "Dardanët", Berisha.

Kjo nuk është hera e parë që Ademi - i cili është në kërkim të një mandati të dytë katërvjeçar në krye të FFK-së - që i sulmon zyrtarët e federatës.

Ai e ka një histori sulmesh ndaj zyrtarëve të institucionit që e udhëheq që prej vitit 2018. Më 2019, ai e kishte sulmuar mjekun e kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Ishte raportuar po ashtu për dy sulme të tij ndaj sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Erol Salihu, të cilin e kishte shkarkuar nga posti më vonë në vitin 2021.

Vetëm katër muaj më parë, Ademi ishte ankuar në polici për një sulm ndaj tij në Parkun e Gërmisë.

Sulmi i fundit i Ademit vjen në një kohë rrëmuje në shtëpinë e futbollit të Kosovës në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sulmet e tij ndaj zyrtarëve të federatës nuk janë telashi i vetëm me ligjin që ai do të përballet.

Ai është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të Kombëtares U21 të Kosovës.

Për më tepër, vendimi i FFK-së për të thirrur zgjedhje të reja pa ndonjë arsye ligjore, duke qenë se Ademit nuk i mbaron mandati katërvjeçar deri në korrik, ka shkaktuar shumë polemika në vend. Kjo po shihet si një përpjekje dëshpëruese e Ademit për ta ruajtur postin deri më 2026.

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre.

Pretendohet se me këtë, ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Lajme të ngjashme