Guardiola merr përgjegjësi për humbjen në FA Cup, tregon ku gaboi
Trajneri Pep Guardiola ka marrë përgjegjësi të plotë pas humbjes nga rivali Manchester United në finalen e FA Cupit, duke deklaruar se plani i pjesës së parë s’ishte i mirë.
Man City hyri si favorit për ta fituar FA Cupin, sidomos pasi fitoi titullin në Angli për të katërtin vit radhazi.
Megjithatë, Unitedi arriti t’i dëshpëronte duke i mposhtur me rezultat të ngushtë 1:2.
“Mendoj se plani i lojës në pjesën e parë s’ishte i mirë. Pjesa e dytë ishte shumë më mirë. Ishim më intensiv, sepse ishim 2:0 duke humbur dhe kur kjo ndodhë nuk ke çfarë për të humbur dhe bën hapin përpara”.
“Ishte lojë e ngushtë. E falëm golin e parë dhe në aksionin e dytë nuk e mbyllëm mirë tranzicionin”.
“Por, merita drejt Unitedit për golin e dytë dhe kualitetin që kanë. Për vendimin tim, nuk ishim në pozitën e duhur për t’i sulmuar. Ishte gabimi im”.
“Plani nuk ishte i mirë. I zhgënjyer, kjo është normale për skuadrat që humbin finalet, por ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm duke luftuar për të gjitha titujt në mënyrën më të mirë. Pushojmë dhe rikthehemi sezonin tjetër”.