Guardiola: Mendoj se Arsenali do t'i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola mendon se Arsenali do t'i fitojë të tre ndeshjet e mbetura të sezonit për ta bërë edhe më interesante garën për titull.
Skuadra e Guardiolas është një pikë para "Topçinjve", por kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Brightonit.
Pavarësisht kësaj, tekniku spanjoll thotë se gara për titull s'ka përfunduar dhe Arsenali do t'i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura.
"Mendoj se do t'i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura. Do të doja që ata të lëshojnë pikë për të qenë i sinqertë, por mendoj se do të marrin nëntë pikë".
Guardiola gjithashtu e pranoi se është i zemëruar që është shtyrë për një ditë ndeshja e radhës shkaku i finales së Eurovizionit.
"Luajmë të dielën, nuk e kuptoj, nuk do të luftoj më. Duhet të adaptohemi. Mendoj se s'mundemi të luajmë të shtunën shkaku që është Eurovisioni".
Man City ka edhe katër ndeshje para se të shpallet kampion në Premierligë, duke u përballur me Evertonin në vikend, Chelsean më 21 maj, Brightonin më 24 maj dhe Brentfordin më 28 maj.
Përpos kësaj, "Qytetarët" mbesin në garë për tripletën pasi ndodhen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit si dhe në finalen e FA Cup kundër Manchester Unitedit në "Wembley" më 3 qershor.
Në anën tjetër, Arsenali do t'i zhvillojë edhe tre ndeshje kundër Brightonit të dielën, Nottingham Forestin më 20 maj dhe Wolves më 28 maj.