Grushtat brutalë e bëjnë të palëvizshëm boksierin, përfundon jashtë ringut pa vetëdije
Michael Conlanit sigurisht do t'i duhet kohë të rikuperohet pas asaj që ndodhi në meçin e tij të fundit, kundër Leigh Wood, për titullin WBA, në kategorinë e mesme.
Goditjet që Conlan pësoi në rundin që ia humbi meçin, janë përshkruar si shumë të rënda nga vetë ai, derisa ka thënë se humbi ndjenjat dhe, kur u zgjua, nuk e kishte idenë ku gjindej.
Rrebeshi i goditjeve nga Wood ishte i papërballueshëm për Conlan, i cili i përdori litarët për t'u mbështetur para se të rrëzohej jashtë tyre.
Derisa goditjet vazhduan, ishte e qartë se ai tashmë kishte humbur ndejnjat, para momentit konkludues me rënien e tij jashtë ringut.
Ky moment është publikuar në internet dhe menjëherë ka shkuar viral.
Wood, i cili ndali festën pasi kundërshtari i tij u desh t'i nënshtrohej kujdesit të menjëhershëm shëndetësor, foli për 'DAZN' pas meçit.
''Thjesht shpresoj se Michael është mirë. Nuk mund të festoj derisa ta di se ka bërë më mirë.
''Ai është shumë i fortë dhe ishte nokaut i keq, kështu që dua ta shoh se është mirë.''
Më vonë, boksieri nga Belfast, Conlan zbuloi një përditësim nga spitali rreth gjendjes së tij.
''Urime për Leigh Wood, urime për ekipin e tij, ajo ishte goditja më e mirë e natës, me të cilën më zuri në fund,'' tha ai. ''Por është si është. Do të rikthehem.''
Këto fjalë të Conlan të dielën do të vijnë si shlirim për të gjithë ata që ishin të shqetësuar për mirëqenien e tij.
Wood ishte i përlotur në konferencën për shtyp pas meçit, derisa potencoi: ''Jam në një gjendje emocionale dhe kam qarë. Dëgjova se ai është zgjuar dhe po flet, por do të doja ta shihja.''
Promoteri Eddie Hearn e quajti fitoren e Wood si "një prej rikthimeve më të mëdha", por shtoi se "të gjithë ne po lutemi për Michael.
"U duk një paraqitje klas nga Michael dhe, para rundit të 12, nuk mund ta paramendoja një rikthim të Leigh.
''Michael ishte dy runde përpara, para rundit të fundit - Leigh u desh ta nokautonte në rundin e 12 dhe e bëri.
''Do të doja të festoja, por të gjitha mendimet e mia janë me Michael.”
Conlan po luftonte për titullin e botës në meçin e 17 si profesionist, pas një karriere brilante si amator, gjatë të cilës kishte fituar medaljen e bronztë në Olimpiadë dhe të artat në Kampionatin Botëror për Amatorë dhe atë Evropian.