Gruaja me një këmbë e thyen rekordin botëror të maratonës
Një grua e cila filloi të merrej me vrapim pasi e humbi këmbën e majtë nga kanceri, është futur në Librin e Rekordeve Botëror të Ginisit për më së shumti maratona radhazi.
Jachky Hunt-Broersma, 46-vjeçre, ka vrapuar nga 42.1 kilometra çdo ditë që prej mesit të janarit, apo pesë orë në ditë.
Të shtunën e kaluar, ajo e kompletoi maratonën e 104-të radhazi në po aq ditë - një arritje e cila, pret ajo, do të certifikohet nga Libri i Rekordeve Botërore Ginis.
Certifikimi i rekordit të saj do t’i marrë rreth tre muaj kohë.
E diela - një ditë pushimi më në fund - ishte përvojë bizare për Jacky pasi u zgjua nga gjumi.
“Një pjesë e imja ishte shumë e lumtur që u krye, por pjesa tjetër më thoshte se duhet të dal të vrapoj”, tha Jacky për BBC.
Trupi i saj është duke e marrë veten nga përpjekjet për ta thyer rekordin, megjithëse se është ndalur. “Ndihem më e lodhur tani se gjatë gjithë 104 maratonave”, e pranon ajo.
Por Jacky, e cila u lind dhe u rrit në Afrikën Jugore dhe ka jetuar edhe në Angli dhe Holandë, është mirënjohëse. Sepse vrapimi ia ka dhënë asaj vetëbesimin për të cilin kishte frikë se nuk do ta rifitonte kurrë.
Në vitin 2002, doktorët në Holandë e diagnostikuan atë me Sarkoma e Ewing - një lloj i rrallë i kancerit të ashtit.
Brenda dy javëve, ata ia prenë këmbën për t’ia shpëtuar jetën. Ajo ishte vetëm 26-vjeçare në atë kohë.
“Çdo gjë ndodhi shumë shpejt”, kujtoi ajo.
Në dy vitet e para, Jacky luftoi me ndryshimin e madh në jetë. Ajo ishte e zemëruar se ishte prekur nga kanceri dhe ishte e turpëruar që ishte ndryshe. Ajo vishte pantallona të gjatë në publik, në mënyrë që njerëzit të mos mund t’ia vërenin protezën.
Pasi e ndryshoi mendjen papritmas, ajo filloi te merrej me vrapimin në vitin 2016.
Ajo e kishte përkrahur burrin e vet në garat vrapimit të gjatë, por kurrë nuk kishte menduar ta bënte vetë, duke menduar se ishte vetëm për njerëz të marrë.
Pasi e bleu një protezë për vrapuesit e distancave të gjata, ajo u regjistrua për garën e parë, 10 kilometra.
Në prag të garës, ajo e ndryshoi mendjen dhe doli në kategorinë gjysmë maratonë dhe që prej atëherë nuk ka shikuar mbrapa kurrë më, duke i kaluar distancat më të gjata dhe terrenet e ndryshme.
“Unë jam person ose gjithçka ose asgjë, prandaj u futa në këtë me tërë qenien time. Më pëlqen t’i thyejë kufijtë dhe të shoh se sa larg mund të shkoj”, nënvizoi ajo.
Në fillim të vitit ajo ia caktoi vetes një synim të ri: rekordin botëror për më së shumti maratona radhazi.
Rekordi botëror i Ginist te gratë ishte 95 gara radhazi – i vendosur nga Alysaa Amos Clark, një vrapuese ka këmbë të amputuar – e cila e arriti këtë gjatë pandemisë.
Pra Jacky - një nënë e dy fëmijëve e cila punon si trajnere e qëndrueshmërisë - nisi të vrapojë me këtë rekord në mendje, duke u siguruar që gjithmonë të vraponte të paktën gjatësinë e një maratone.

Ajo vrapoi në maratonën e famshme botërore të Bostonit dhe të Arizonës, por maratonat nuk mbahen çdo ditë, prandaj ajo duhej të vraponte edhe në rrugë lokale me baltë dhe në rrugica të mëhallës.
Dhe kur vrapuesja britanike Kate Jayden e theu rekordin botëror të Alyssas duke i kompletuar 101 maratona, Jacky nuk u ndal për ta thyer rekordin e saj.
“Vrapimi e ka bërë një dallim aq të madh në gjendjen time mendore dhe ma dëshmoi se sa i fuqishëm mund të jetë trupi. Ma ndihmoi ta pranoj veten ashtu sic jam dhe më tregoi se mund të bëjë gjëra të vështira”, shtoi ajo.
Dhe ajo është e vendosur të vazhdojë. Gara e radhës: Moab, një garë dërrmuese 386.2 kilometra në Utah në tetor.