Granit Xhaka shpjegon pse luajti i lënduar ndaj Anglisë
Mesfushori Granit Xhaka thotë se nuk donte ta linte skuadrën vetëm andaj edhe zhvilloi 120 minuta i lënduar ndaj Anglisë.
Zvicra pësoi humbje nga Anglia duke u përshëndetur përfundimisht me Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Ylli i Bayer Leverkusenit drejtoi sërish kombëtaren helvetike mirëpo pas ndeshjes shpjegoi se luajti i lënduar.
“Tani të flasim hapur dhe në mënyrë të sinqertë. Disi arrita të menaxhoj që të luaj 120 minuta”, tha 31-vjeçari i cili pranoi se nuk ndjeu dhimbje por që lëndimi nuk e lejoi të bënte pasime të gjata.
I pyetur se pse pranoi të luante i lënduar, Xhaka nënvizoi: “U ndjeva sikur skuadra ka nevojë për mua. I kalova limitetet sonte dhe do të kisha pasur dëshirë që të luajë edhe të mërkurën”.
Për Xhakën kishte lëvdata edhe përzgjedhësi Murat Yakin: “Ishte në stërvitjen e fundit të premten, por nuk ishte në intensitet të plotë. Është mrekulli që ishte në fushë ndaj Anglisë. Ai drejtoi si lider i madh skuadrën deri në fund”.